Popullizmi na ka thy qafën!

Nga Ardi Shita
Agjencia e Bizneseve (ARBK) në kuadër të MINT nxjerr Vendim mbi “pezullimin e Certifikatës së Biznesit” të një shoqërie tregtare – KLAN Kosova.
Baza e nxjerrjes se Vendimit thuhet se është Neni 10 i Ligjit për Shoqëritë Tregtare ndërsa “pezullimi” është bërë sipas nenit 85 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative.
Kjo është e turpshme edhe nëse e shkruan një student i mjekësisë, e lëre më Drejtoria e ARBK-së. Tash, jashtë popullizmit, disa komente juridike:
- Neni 10 i Ligjit për Shoqëri Tregtare (LSHT) flet për kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm për të nxjerr vendime dhe udhëzime për procesin e rregullimit të shoqërive tregtare (lexo: kompanive) dhe në mënyrë shprehimore përcakton se Drejtori NUK mund të vendos kërkesa ose kufizime që nuk janë të parapara me atë ligj.
- Ligji për Shoqëri Tregtare në asnjërin nga 270 nenet e tij NUK përcakton mundësinë ose konceptin e “pezullimit” të një Certifikate të Biznesi të një kompanie në Kosovë!
- Referimi në nenin 85 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative është absurditeti i radhës i këtij Vendimi. Neni 85 flet për trajnimin e çështjeve paraprake gjatë një procedure administrative. Nuk është aspak relevant me rastin konkret. Për zbatimin e nenit 85 kërkohet që paraprakisht pala (kompania) të jetë në një proces administrativ në të cilin kërkon një të drejtë ose sipas të cilit i është mohuar një e drejtë. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me çështjen e trajtuar nga ARBK në këtë Vendim.
- Ushtrimi i veprimtarisë në fushën e shërbimeve mediale audio-vizuale në Kosovë rregullohet sipas Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili lëshon licenca për transmetim – si organ i pavarur dhe kategori kushtetuese. Ligji për Shoqëri Tregtare (në kuadër të të cilit vepron ARBK/MINT) në nenin 2.2 shprehimisht përcakton se “rregullat për lëshimin e lejeve, licencave ose formave të tjera të lejimit […] të shoqërive tregtare NUK janë në fushëveprim të këtij Ligji.
- Shoqëria Tregtare SHPK është person juridik i PAVARUR nga aksionarët (lexo: pronarët) e saj (neni 75 i LSHT-së). Çështjet e shitblerjes së aksioneve dhe lëvizet e pronarëve fundor nuk prekin ekzistencën ose mos-ekzistencën e personit juridik. Në analogji, kjo është sikurse të dyshohet në mënyrën e zgjedhjes së Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht të “pezullohet” ekzistenca e shtetit. Aksionet janë pronë personale e aksionarëve, fati i personit juridik (SHPK-së) nuk varet nga lëvizjet/transaksionet me aksione të Shoqërisë.
Përmbledhje e shkurtuar:
– Certifikata e biznesit NUK pezullohet për shkak se nuk ekziston asnjë instrument ligjor për “pezullim”;
– ARBK nuk ka kompetenca për lëshim të akteve pezulluese sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Drejtori i Përgjithshëm kryen funksione administrative të përcaktuara shprehimisht me ligj, jo me teke dhe dëshira muzikore;
– Autoritet licencues dhe rregullator i mediave audio-vizuele është KPM si institucion i pavarur dhe kategori kushtetuese – JO institucionet e administratës qeveritare;
– SH.P.K. është person juridik. Transaksionet me aksionet e SH.P.K. nuk e cenojnë ekzistencën e SH.P.K.-së.