75 Mall Live Search
13:09 / E Enjte, 13 Mars 2025 / MSH

Porositë e Rutte-s, nën vlerësimin e ekspertëve të sigurisë

Vizita e Mark Rutte-s në Kosovë u shoqërua me takime të shumta zyrtare.

Një delegacion i madh i NATO-s, përfshirë dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, qëndruan në Kosovë për të realizuar bisedime të nivelit të lartë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, FSK-në në krye me komandantin e saj, si dhe ushtarët e KFOR-it.

Rutte, krahas përkrahjes së NATO-s për Kosovën, me shtrirjen e NATO-s në të gjithë territorin e vendit, theksoi gjithashtu edhe disa pika të rëndësishme rreth statusit të FSK-së dhe aspektit të sigurisë në përgjithësi.

Por, si e kanë parë ekspertët e sigurisë këtë vizitë?

Lidhur me qëndrimet e Rutte-s, Jeta Loshaj, nga Qendra Kombëtare për Studime të Sigurisë, tha për IndeksOnline se u përçuan dy mesazhe të rëndësishme.

Sipas saj, Rutte siguroi se, pavarësisht luftës në Ukrainë, Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet strategjik për NATO-n. Dhe, së dyti, NATO-ja po vëzhgon nga afër zhvillimet në rajonin tonë dhe është e gatshme të përgjigjet ndaj çdo përpjekjeje që synon destabilizimin.

Duke komentuar vlerësimin e Rutte-s për FSK-në, si “forcë humanitare”, Loshaj thotë:

“Qëndrimi se FSK është forcë humanitare ka të bëjë me faktin se ndryshimet në mandatin e FSK-së në vitin 2018 u bënë me ligj, jo me Kushtetutë siç kërkonte NATO. Mirëpo, kjo mund të interpretohet si qëndrim formal i NATO-s në praktikë. Po ashtu, unë besoj se NATO e kupton që FSK nuk është forcë humanitare, si dhe, është e njoftuar për faktin se Kosova synon të anëtarësohet në NATO me kapacitetet e mbrojtjes plotësisht të konsoliduara. Prandaj, sa i përket deklaratës se FSK-ja është forcë humanitare, nuk besoj që duhet t’i japim jehonë dhe aq shumë pasi kjo nuk ishte deklarata qendrore e vizitës së Sekretarit Rutte, por e gjitha duhet të shihet në kontekstin e rëndësisë së mbajtjes së stabilitetit”.

Për synimet afatgjate të FSK-së në NATO, Loshaj vlerëson se ushtria duhet të përqendrohet në zbatimin e plotë të planit 10-vjeçar të tranzicionit, të rrisë pjesëmarrjen në nismat e NATO-s, si dhe të forcojë besueshmërinë e saj si partner i qëndrueshëm, si për NATO-n, ashtu edhe për KFOR-in.

Kjo, sipas saj, varet jo veëtm nga zhvillimi profesional i FSK-së, por edhe nga qasja dhe retorika politike e qeverisë.

“Fatkeqësisht, kjo vizitë ishte një mundësi e humbur për institucionet e Kosovës që të paraqisnin një qëndrim të përbashkët. Përkundër faktit që ekziston një konsensus i gjerë politik për forcimin e marrëdhënieve me NATO-n, nuk u prezantua ndonjë propozim i përbashkët dhe konkret te Sekretari Rutte, për përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”, deklaroi Loshaj.

Takimin me Rutte-n, si vizitë e parë zyrtare e tij në Kosovë pas marrjes së mandatit, presidentja Vjosa Osmani e vlerësoi si një mundësi të mirë për të riafirmuar partneritetin me Aleancën më të fuqishme të sigurisë në botë./IndeksOnline/