Portieri i Lirisë njofton tërheqjen nga futbolli aktiv, jo për shkak të moshës por për ..!

Portieri i Lirisë së Prizrenit, Drilon Hodaj ka njoftuar tërheqjen nga futbolli aktiv, pas 14 viteve karrierë.
31-vjeçari e morri këtë vendim të parakohëshëm, për shkak të lëndimeve të rënda dhe të njëpasnjëshme që ka pasur së fundmi, shkruan IndeksOnline.
Ai ka premtuar se nuk është fundi i lidhjes së tij me futbollin, por një kapitull i mbyllur, për të filluar një të ri.
”Pas 14 viteve karrierë, tërhiqem nga futbolli aktiv.
Sot është një nga ato ditë ku emocionet janë të forta dhe fjalët vështirë dalin nga zemra. Pas 14 viteve karrierë, po i jap fund rrugëtimit tim si futbollist aktiv.
Nga dita e parë që vesha fanellën e Lirisë, e deri më sot, kam përjetuar gjithçka që një futbollist mund të ëndërrojë – momente të bukura, fitore të mëdha, humbje të dhimbshme dhe mbi të gjitha, një lidhje të thellë me këtë lojë që më ka formuar si njeri.
Fatkeqësisht, dëmtimet e rënda dhe te njëpasnjëshme më detyruan të ndalem këtu, por krenaria për gjithçka që kam përjetuar me këtë fanellë është më e madhe se çdo dhimbje.
Faleminderit KF Liria për çdo mundësi, për çdo besim dhe për çdo kujtim të paharrueshëm. Një falënderim i veçantë për tifozët e zjarrtë @arpagjikt_prizren , që gjithmonë na kanë mbështetur, në të mirë dhe në të keqe – ju keni qenë zemra e këtij klubi dhe një motivim i pashuar për mua personalisht.
Ky nuk është fundi i lidhjes sime me futbollin, është thjesht një kapitull i ri. Do të jem gjithmonë afër futbollit, në një formë apo një tjetër.”, ka shkruar Hodaj./IndeksOnline/