Portugalia ndalon burkën dhe nikabin në publik

Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projektligj që ndalon mbulesat e fytyrës për arsye “gjinore ose fetare” në publik, në një veprim që shihet si shënjestër e mbulesave të fytyrës të veshura nga disa gra myslimane.
Projektligji u propozua nga partia e ekstremit të djathtë Chega dhe mori mbështetje nga PSD e qendrës së djathtë, Iniciativa Liberale dhe CDS-PP. Ligjvënësit e krahut të majtë, përfshirë ata nga partitë PS, Livre, PCP dhe Bloco de Esquerda, votuan kundër iniciativës.
Masa ndalon “përdorimin, në hapësirat publike, të veshjeve që synojnë të fshehin ose pengojnë shfaqjen e fytyrës”, siç është rasti me burkën – një veshje që mbulon të gjithë trupin e një gruaje nga koka te këmbët – dhe nikabin, që mbulon të gjithë fytyrën, përveç syve.
Gjithashtu parandalon aktin e “detyrimit të dikujt për të fshehur fytyrën për arsye gjinore ose fetare”, thuhet në nismën parlamentare.
Përjashtimet përfshijnë rastet kur fshehja e fytyrës “është e justifikuar siç duhet për arsye shëndetësore ose për arsye profesionale, artistike ose argëtuese”. Ndalimi gjithashtu “nuk zbatohet në aeroplanë ose në ambientet diplomatike dhe konsullore”, dhe “fytyrat mund të mbulohen edhe në vendet e adhurimit dhe vende të tjera të shenjta”.
Gjithashtu përjashtohet nga ndalimi “fshehja e fytyrës për arsye që lidhen me sigurinë ose për shkak të kushteve klimatike, ose sa herë që kjo rezulton nga një dispozitë ligjore që e lejon atë”.
Ligji tani do të debatohet në komisionin parlamentar për Çështjet Kushtetuese, të Drejtat, Liritë dhe Garancitë. Por, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa ende duhet ta miratojë projektligjin. Ai mund ta vërë veton ose ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
Masat do të zbatoheshin më pas në të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë “rrugët si dhe vendet e hapura për publikun”, si dhe “në të gjitha vendet ku ofrohen shërbime përgjithësisht të arritshme për të gjithë qytetarët”.
Ato shtrihen gjithashtu në “ngjarje sportive ose praktika dhe demonstrime”. Raportohet se ata që nuk i zbatojnë rregullat e reja mund të përballen me gjoba midis 200 dhe 2,000 eurove, “në rast neglizhence”.
Në rastet e sjelljes së keqe me dashje, gjobat mund të arrijnë në midis 400 dhe 4,000 euro.
Për më tepër, kushdo që “me anë të kërcënimit, dhunës, shtrëngimit, abuzimit të autoritetit ose abuzimit të pushtetit, detyron një ose më shumë persona të fshehin fytyrën e tyre”, mund të përballet me dënim me burg deri në tre vjet ose me gjobë. Nëse miratohet ligji, Portugalia do t’i bashkohet një numri vendesh evropiane si Austria, Franca, Belgjika dhe Holanda, të cilat kanë ndalime të plota ose të pjesshme për mbulesat e fytyrës dhe të kokës.