Posta e Kosovës sqaron pritjet nëpër sportele: Shpërndarja e ndihmave sociale na merr kohë
Posta e Kosovës, pas lajmit të postuar në Indeksonline me titull “Posta mbushet me konsumator, në sportel vetëm një punëtore!” ka sqaruar se sot në të gjitha zyrat postare të Postës së Kosovës Sh.A. bëhet shpërndarja e ndihmave sociale për mijëra përfitues të kësaj ndihme.
“Çdo muaj me datën 1 të gjithë përfituesit e ndihmës sociale vërshojnë zyrat tona. Ne kemi kujdes të veçantë për këtë kategori dhe mbi një vit e gjysmë prejse ky shërbim ofrohet në Postë nuk kemi pasur asnjëherë ankesë nga askush. Procedimi i një ndihme sociale nuk është procedurë e thjeshtë sepse duhet të bëhet verifikimi i përfituesit të ndihmës sociale, nënshkrimi i dokumentacionit përkatës, etj”, thuhet në sqarimin e Postës së Kosovës.
Dy punëtorët tjerë që po ashtu punojnë në sportel në këtë zyre postare, sipas njoftimit, kanë qenë duke u marrë me paratë kesh. Edhe ata kanë qenë në atë kohë në shërbim të qytetarëve që kanë qenë në zyrën postare tek “Qafa” në Prishtinë. Asnjë punëtor në këtë zyre nuk ka qenë jashtë procesit të punës.
“Shpërndarja e ndihmave sociale është një operacion i madh dhe mjaft i ndjeshëm, sidomos me datën 1 të çdo muaji. Besojmë se po na kuptoni drejt”, thuhet në sqarim./Indeksonline/