Pozita prezanton buxhetin, merr kritika nga opozita
Qeveria e Kosovës sot ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se buxheti i vitit që vjen është 6 përqind më i lartë se i vitit që po shkon.
“Sipas këtyre të dhënave viti 2018 ekonomia jonë pritet të rritet me një normë reale prej 4.6 përqind, ndërsa në periudhën afatmesme do të jetë mbi 5 përqind. Këto projeksione japin shpresën se ekonomia jonë po lëvizë drejt nivelit më premtues të rritjes dhe kjo do të ndikojë direkt më nivelin e punësimit në vend. Duke iu kthyer buxhetit të hyrat buxhetore pritet të kenë një rritje për afërsisht me rritjen ekonomike në masën që do të ndërmarrim për zvogëlimin e informalitetit. Total të hyrat buxhetore pritet të jenë në vlerë 1 miliardë e 829 milionë euro, e cila është më e lartë se sa buxheti I rishikuar I vitit 2017, ose për 6 përqind”, tha Haradinaj.
Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin e ka paraqitur ministri i Financave Bedri Hamza.
Ai tha se janë munduar të bëjnë më të mirën për një shpërndarje sa më të drejtë të parasë publike.
“Për mes këtij buxheti jemi të bindur se kemi bërë më të mirën për një shpërndarje sa më të drejtë të parasë publike për financimin e prioriteteve tona reformuese që kanë kthim më të madh në të mirat materiale për qytetarët e vendit. Ky draft buxhet ne vete ka një numër të madh të projekteve, politikave reformuese, prandaj, gjatë përgatitjeve të këtij buxheti natyrisht se jemi fokusuar në vitin 2018, por duke pasur parasysh edhe implikimet edhe për vitet vijuese. Rrjedhimisht ky draft buxhet nuk do të shihet nga një këndvështrim izolues vetëm për vitin 2018, por më shumë si një buxhet që ka implikime për një periudhë afatmesme dhe më gjatë”, ka thënë Hamza.
Projektbuxhetin e prezantuar e ka kritikuar opozita. Deputetë të VV-së dhe LDK-së kanë thënë se ky buxhet e ka fatin sikurse ai i vitit të kaluar ndërsa pritet që shpenzimet të mbulohen nga borxhet.
Kryetari i VV-së Visar Ymeri tha se me këtë buxhet shihet se edhe më tej rritet varësia buxhetore nga importi i mallrave.
“Nuk duhet të jesh ekspert për të kuptuar se edhe ky buxhet pak a shumë fatin e njëjtë me atë paraprak. Njësoj sikur me buxhetin e vitit të kaluar të hyrat e parashikuara janë të fryra dhe jo reale, kurse shpenzimet pritet të mbulohen nga borxhet. Deficiti buxhetor në vitin e kaluar ishte 300 milionë euro. Ndërkohë që në këtë buxhet edhe 277 milionë euro… nëse e shohim projeksione të të hyrave buxhetore vërejmë se gati e gjithë rritja e reflektuar është në tatimin e vlerës së shtuar të grumbulluar nga dogana dhe detyrimet doganore, me cka rritet edhe më tej varësia buxhetore nga importi I mallrave”, ka thënë Ymeri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha se ky buxhet kthen situatën para vitit 2015.
“Buxheti i vitit 2018 degradon dhe kthen situatën para vitit 2015 kur ka pasur me një planifikim të dobët buxhetor, një strukturë jo adekuate të buxhetit, një planifikim buxhetor I udhëhequr krejtësisht me motive provinciale politike. Më lejoni t’I jap arsyet për këtë konstatim. E para ky buxhet që na prezantohet sot nuk buron dhe nuk ka lidhje me programin qeverisës 2017-2021. Ne kemi dëgjuar në fushatë rritje ekonomike prej 8 përqind, në faqen katër të programit qeverisë rritja ekonomike thuhet se do të arrijë 7 përqind në fund të mandatit qeverisës., ndërkaq në buxhet rritja ekonomike parashihet 4.6 në 2018, 4.9 në vitin 2019 dhe 5.3 në vitin 2020”, ka thënë Hoti.
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke kritikuar draft-buxhetin e vitit 2018 të paraqitur nga Qeveria ka thënë se dyshja Veseli-Haradinaj nuk kanë mbajtur asnjë premtim të dhënë para formimit të Qeverisë sa i përket çështjeve ekonomike.
Ai tha se me ketë buxhet nuk do të ketë as rritje ekonomike
Ai tha se gjatë fushatës PAN kishte premtuar rritje të pagave për mësimdhënësit, punonjësit shëndetësorë, ata të administratës publike dhe punëtorët e KEK-ut, rritje të pagave prej 30 përqind gjë e cila me këtë buxhet parashihet vetëm 3.5 përqind.
Abdixhiku tha me buxhetin e vitit 2018 nuk do të ketë rritje ekonomike, porse e vetmja gjë që është rritur, është kabineti qeveritar.
Debati në Kuvend për projektligjin për buxhetin po vazhdon ende.