Pozitë e opozitë dërgojnë në Kushtetuese presidentin Hashim Thaçi
Shefat e grupeve parlamentare të AAK-së, NISMA-s dhe PSD-së, të mbështetur edhe nga 30 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, njofton Indeksonline.
Kjo kërkesë ka të bëjë me Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Shefi i grupit parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi, tha se nga Gjykata Kushtetuese presin që t`i japin të drejtë lidhur me kërkesën e parashtruar.
Sipas tij, dekreti i Presidentit për anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Dorëzuam ankesë në Gjykatë Kushtetuese për të sfiduar vendimin e Presidentit përkatësisht dekretin e tij që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të KQZ-së. Ne konsiderojmë që na janë shkel të drejtat ta tona si grupe parlamentare dhe për këtë arsye kemi sfiduar këtë dekret. Presim që Gjykata Kushtetuse të na jep të drejtë në atë që e kemi ngritur sot. Ne mendojmë që dekreti i presidentit nuk është në përputhje me Kushtetutën. Deri në marrjen e aktgjykimit ne së paku unë nuk do të bëjmë komente tjerë, për arsye se dëshirojmë që gjykata kushtetuese të mos ndjehet në presion”, tha Sherifi në një deklarim për media pas dorëzimit të kërkesës në Kushtetuese.
Ndërsa, Ahmeti Isufi, shef i grupit parlamentar në AAK-së, tregoi edhe për një shkelje tjetër që presidenti e ka bërë në dekretimin e anëtarëve KQZ-së.
“Paraprakisht Zyra e Presidentit ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare ti dërgojmë emrat e anëtarëve të KQZ ne i kemi dërguar të gjithë, dhe konsiderojmë se është bërë shkelja pikërisht se nuk është zbatuar ajo kërkesë e presidentit për ti dekretuar të gjithë anëtarët e grupeve parlamentare”, tha Ahmeti.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, kjo kërkesë drejtuar Kushtetuses është një betejë për pluralizëm.
“Në këtë dokument në këtë ankesë besoj që është një prej betejave tona të përbashkëta është që të bëjmë betejën për pluralizëm e pluralizmi nuk nënkupton koncentrimin e përfaqësimit në KQZ vetëm në ri grupe por në të gjitha ato që janë grupe parlamentare”.
Emërimi i anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bërë pak ditë pas reagimit Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ShBA) lidhur me mos emërimin e tyre.
Në listën e tetë anëtarëve janë emëruar dy përfaqësues të LDK-së dhe VV-së, edhe pse presidenti në fillim kishte pasur dilema.
“Tetë anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Ćemailj Kurtiši, Ercan Şpat dhe Stevan Veselinoviq”. /Indeksonline/