PPE shpreh shqetësim serioz për situatën aktuale politike në Shqipëri

Ndërsa Shqipëria i afrohet Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit, Partia Popullore Evropiane (PPE) shpreh shqetësim për situatën aktuale politike. Raportet kanë evidentuar shkelje serioze, duke përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votave, shkeljen e fshehtësisë dhe lirisë së votës, si dhe njëanshmëri të mediave. Vëzhgimet më të fundit dhe burimet e përmendura më sipër përputhen në përfundimin se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional dhe se shteti ligjor nuk mbështetet për shkak të kapjes së drejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.
Më shumë se 100 ankesa formale janë paraqitur zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), duke dokumentuar shkelje të dyshuara sistematike dhe të qëllimshme, përfshirë:
• Blerjen e votave përmes dhënies së parave në dorë dhe kultivimit të kanabisit;
• Punësimet dhe praktikat e prokurimeve zgjedhore në favor të mbështetësve socialistë;
• Abuzimin me zyrat publike dhe median;
• Emërimin e paligjshëm të Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas arrestimit të Erion Veliajt, pa një proces demokratik, me qëllim kontrollin e burimeve bashkiake për fushatën e vitit 2025;
• Kërcënimet dhe ndjekjet penale kundër kandidatëve të opozitës.
PPE shpreh shqetësim për:
Vazhdimin e abuzimit me pushtetin shtetëror
PPE vëren me shqetësim përdorimin e vazhdueshëm të burimeve publike gjatë periudhave zgjedhore në Shqipëri. Ka raportime të besueshme për tendera, subvencione dhe inaugurime të zhvilluara brenda periudhës katërmujore para zgjedhjeve, në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor dhe Vendimin nr. 9/2020 të KQZ-së. Zyrtarë publikë, përfshirë ministra dhe kryetarë bashkish, janë përfshirë në aktivitete që rrezikojnë të zhbëjnë kufirin mes qeverisjes dhe fushatës. Pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, emërimi i një kryetari të komanduar ndodhi pa procedurë ligjore formale ose miratim të këshillit bashkiak, duke ngritur shqetësime mbi autonominë vendore dhe përputhshmërinë me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. PPE inkurajon institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un, që të ruajnë standardet ligjore dhe të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë aktorët politikë.
Mungesën e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR
PPE është e shqetësuar nga mungesa e vazhdueshme e përparimit në zbatimin e rekomandimeve kyçe të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Institucionet mbeten të cenueshme nga ndikimi politik, duke minuar mbikëqyrjen e paanshme dhe konkurrencën e ndershme zgjedhore. Qasja në media është e pabarabartë, ku transmetuesit publikë dhe ata të lidhur me qeverinë favorizojnë partinë në pushtet dhe kufizojnë mbulimin e opozitës. Shkeljet zgjedhore shpesh mbeten të pandëshkuara, duke krijuar një kulturë pandëshkueshmërie ndaj mashtrimeve dhe manipulimeve.
Manipulimin dhe frikësimin zgjedhor
PPE vëren raportet për përdorimin e administratës publike për qëllime politike gjatë zgjedhjeve. Skemat e punësimit, përpjekjet propagandistike dhe presioni mbi nëpunësit civilë për të marrë pjesë në aktivitete partiake minojnë neutralitetin e shtetit. Blerja e votave dhe frikësimi, përfshirë përpjekjet për të shtypur pjesëmarrjen e votuesve, janë dokumentuar dhe janë paraqitur ankesa formale në KQZ dhe prokurori. Vazhdojnë shqetësimet për lidhjet e dyshuara midis aktorëve politikë dhe rrjeteve kriminale, sidomos në emërime kyçe në polici dhe drejtësi.
Shtypjen e opozitës dhe lirisë së mediave
PPE është e shqetësuar për veprimet ligjore dhe presionin ndaj liderëve të opozitës, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive. Pluralizmi mediatik është nën trysni, me përqendrim në rritje të pronësisë mediatike dhe kontroll editorial në favor të qeverisë. Vendimi për të kufizuar qasjen në TikTok para zgjedhjeve ngre pikëpyetje mbi lirinë e shprehjes dhe të drejtat dixhitale. Këto zhvillime kufizojnë hapësirën demokratike dhe pengojnë qytetarët të marrin pjesë në debat të hapur politik.
⸻
Thirrja për Veprim nga PPE:
PPE u bën thirrje Bashkimit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe institucioneve ndërkombëtare demokratike që të kërkojnë nga autoritetet shqiptare:
• Të ndalojnë çdo keqpërdorim të dyshuar të pushtetit shtetëror, blerjen e votës, frikësimin e votuesve dhe manipulimet zgjedhore;
• Organet përkatëse të ndjekjes penale duhet të hetojnë në mënyrë të plotë dhe të shpejtë të gjitha akuzat për krime zgjedhore përpara zgjedhjeve, të nxjerrin fajtorët përpara drejtësisë dhe të krijojnë një histori solide hetimesh dhe ndëshkimesh;
• Të sigurojnë akses të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajnë mbikëqyrjen e pavarur zgjedhore.
PPE gjithashtu u bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës që:
• Të dërgojnë vëzhgues afatgjatë shtesë në bashkitë me rrezik të lartë;
• Të dokumentojnë dhe denoncojnë publikisht abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare;
• Të mbështesin mekanizmat institucionalë që sanksionojnë keqpërdorimin sistematik të fondeve publike;
• Të zbatojnë mekanizma kushtëzues në procesin e anëtarësimit në BE, nëse shkeljet vazhdojnë.
Detyrimet e Shqipërisë sipas Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së (1990), Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe udhëzimeve të Komisionit të Venecias për keqpërdorimin e burimeve administrative gjatë zgjedhjeve duhet të respektohen dhe zbatohen.
PPE do të monitorojë nga afër zhvillimet në Shqipëri, duke mbështetur aspiratat evropiane të vendit dhe forcat demokratike në Shqipëri, si dhe duke bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë për të siguruar që procesi zgjedhor të përputhet me parimet demokratike evropiane dhe të garantojë zgjedhje të lira e te drejta.