Pranim-dorëzimi i mallit në KEK, evidentimi me laps të thjeshtë dhe pa datë
Në gjykimin ndaj zyrtarëve të KEK-ut, Vehbi Dragusha, Ejup Grajçevci dhe Fahri Fejzullahu në cilësi të dëshmitarit u dëgjua një zyrtar i KEK-ut.
Latif Ujkani, kryetar i komisionit për pranim-dorëzim të depos së serviseve në KEK, tha se në cilësi të kryetarit të komisionit së bashku me depoistat Vehbi Dragusha, Ejup Grajçevci dhe Fahri Fejzullahu e kanë bërë regjistrimin e mallit dhe pastaj të njëjtit edhe e kanë nënshkruar raportin e evidentimit të këtij malli.
Dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Ejup Grajçevci, i cili kishte propozuar që ai të ftohej në cilësi të dëshmitarit, tha se me rastin e regjistrimit të mallit kanë konstatuar se ka mungesë të ngjitësit në sasi prej 210 kilogramëve.
“Komisioni me rastin e regjistrimit e kemi regjistruar krejt materialin që ka qenë në depo dhe jo vetëm ngjitësin. Puna e ngjitësit ka qenë se shoku Vehbi Dragusha ka qenë depoist dhe ky e ka pranuar, ngjitësi ka qenë -210 kg”, deklaroi dëshmitari.
Ai më tej tha se mungesën e sasisë së mallit të evidentuar e kanë shënuar me laps të thjeshtë dhe se pranimin e këtij malli e ka bërë tanimë i akuzuari Ejup Grajçevci.
Gjatë procesit të pranim-dorëzimit dhe regjistrimit të mallit dëshmitari deklaroi se prezentë kanë qenë Fahri Fejzullahu dhe Ejup Grajqevci ndërsa për të akuzuarin tjetër Vehbi Dragusha tha se “herë vinte e herë jo”.
Në lidhje me sasinë e munguar të ngjitësit, reagime pati nga përfaqësuesja e KEK-ut, Shukrije Miftari e cila tha se vërehet një diferencë në mes të raportit të komisionit të të dëmtuarës Korporatës Energjetike të Kosovës si dhe raportit të përpiluar nga dëshmitari Latif Ujkani.
Pasi që sipas raportit të komisionit të KEK-ut, sasia e munguar e ngjitësit ka qenë 245 kilogramë.
E në lidhje me këtë diferencë në evidentimin e sasisë së munguar të ngjitësit, dëshmitari tha se ai si kryetar i komisionit së bashku me dy anëtarë të tjerë gjatë evidentimit kanë konstatuar këtë mungesë dhe se për sasinë për të cilën pretendon pala e dëmtuar ai nuk ka njohuri.
“Mungesa e ngjitësit ka qenë sasia prej 210 kilogramëve. Për atë shifrën tjetër unë nuk e di, nuk jam në ngjarje. Sasinë e mungesës të ngjitësit, komisioni ku unë kam qenë kryetar e ka bërë një muaj apo një muaj e gjysmë më herët, nuk e di saktësisht”, tha dëshmitari.
Më pas anëtari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi i kërkoi dëshmitarit që të jepte sqarime lidhur me raportin të cilin dëshmitari tha se e kishin hartuar me rastin e pranim-dorëzimit të mallit.
“Në këtë llogari që e ke bërë me dorë, a ke mundësi të na tregosh se çka janë këto shifra… A keni mbajtur evidencë të saktë me rastin e inventarizimit, pasi që në këtë raport vërehen nënshkrimet e pesë personave por nuk ka asnjë datë kur është bërë regjistrimi. Cilat janë arsyet se pse ky inventarizim i mallit, ky dokument i inventarizimit të mallit ky thuhet se mungon sasia e 210 kg nuk përmban datë fare”, e pyeti dëshmitarin, gjyqtari Hamdi Ibrahimi.
Por në lidhje me këto pyetje dëshmitari nuk pati përgjigje. Sa i përket datës së përpilimit të këtij raporti ai tha se nuk i kujtohet se kur ka qenë, ndërsa edhe sa i përket mënyrës së nxjerrjes së shifrave të cilat ndodheshin në raport, për shkak të kohës së gjatë për të cilën tha se ka kaluar që nga përpilimi i raporti, nuk ishte në gjendje që të jepte një përgjigje.
Gjatë kësaj seance kishte qenë e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Ismet Thaçi por për të njëjtin kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva deklaroi se pak para fillimit të seancës gjyqësore zyrtarët policorë e kishin njoftuar se ky dëshmitar nuk do të ketë mundësi të jetë i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore për shkak se njëri nga anëtaret e familjes së tij është në gjendje jo të mirë shëndetësore prandaj dëshmitari nuk do të jetë prezent në shqyrtimin e sotëm.
E meqë i akuzuari Vehbi Dragusha i cili ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të ftohej ky person, nuk hoqi dorë nga sigurimi i prezencës së të njëjtit, seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar me datën 5 nëntor.
Sipas Prokurorisë, Vehbi Dragusha, Ejup Grajçevci po akuzohen se derisa ishin në kryerje të detyrës së tyre zyrtare në KEK, si depozitues të materialit në kuadër të Depos së Materialit për Servisim të Divizionit të Thëngjillit, së bashku me Fahri Fejzullahun si dhënës i materialit, kanë marrë 245 kilogramë ngjitës për shirita të thëngjillit, duke i shkaktuar kështu Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dëm në shumën prej 5.115 euro./Kallxo.com/