75 Mall Live Search
11:53 / E Mërkurë, 10 Dhjetor 2025 / KV

Pranon fajësinë i akuzuari për posedim të thikës, thotë se s’ishte në dijeni se është vepër penale

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari E.Sh., ka pranuar fajësinë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni se nuk është e lejuar mbajtja e thikës, dhe nuk e ka menduar si diçka të kundërligjshme.

Paraprakisht, u bë leximi i aktakuzës nga ana e prokurorit Ardian Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, i akuzuari i propozoi gjykatës që të dënohet me një gjobë më të ulët.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i tij, avokati Veton Robaj tha se në bazë të deklarimit të të mbrojturit të tij, vërehen elemente të lajthimit juridik pasi që ai nuk ka qenë në dijeni se kjo është vepër penale.

Ndërsa, prokurori Mehmeti tha se nuk e kundërshton pranimin e fjaësisë nga i akuzuari, pasi që i njëjti është në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit Penal, si dhe propozoi që me rastin e shqiptimit të dënimit të marrë parasysh edhe pranimin e fajësisë në fazat e hershme, pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë edhe në Prokurori.

Gjykatësi i rastit, Eroll Gashi ka miratuar pranimin e fajësisë, pasi që i njëjtit është bërë me vullnet të lirë dhe në konsultim të mjaftueshëm të të akuzuarit me mbrojtësin e tij.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 gusht 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, E.Sh., akuzohet se më datë 21 gusht 2022, në Prishtinë,  në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa leje ka poseduar armën e ftohtë – thikë, në atë mënyrë që gjersa kishte qenë duke vozitur veturën në rrugën “Aziz Zhilivoda”, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe gjatë kontrollit i është gjetur thika me këllëf, e cila më pas edhe iu është sekuestruar.

Më këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.