“Pranvera shqiptare e ‘81-ës”, Kurti kujton demonstratat e studentëve

Në përvjetorin e 41-të të demonstratave të pranverës së vitit 1981, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me deputetë të Kuvendit të Kosovës, vizitoi veprimtarin dhe ish-deputetin, Ali Lajçi. Së bashku me kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe deputetë e deputete të Kuvendit të Kosovës, kryeministri priti në takim veprimtarë e veprimtare, ish të burgosur, bashkë organizatorë të demonstratës së 11 marsit të vitit 1981.
Kurti ka treguar se në 11 mars 1981, studentët kishin vendosur që radhët e gjata të pritjes për shujtën e ushqimit t’i kthenin në shtigje të çlirimit. Nga renditja para mensës, në ballë të demonstratave masive.
Ky është postimi i plotë i Kurtit
Më 11 mars 1981, studentët kishin vendosur që radhët e gjata të pritjes për shujtën e ushqimit t’i kthenin në shtigje të çlirimit. Nga renditja para mensës, në ballë të demonstratave masive.
Studentët kërkonin dinjitet, kushte të barabarta të trajtimit dhe ndaljen e dhunës policore. Kërkesave të tyre iu bashkuan punëtorët, e populli mbarë. Demonstruesit kërkonin liri, drejtësi, e përparim shoqëror, të drejta kombëtare, qytetare e njerëzore. Kërkonin Republikë e Vetëvendosje.
As brutaliteti policor, e as plumbat e burgjet, nuk i ndalën demonstruesit e marsit të vitit 1981. Ata i dhanë fillim një pranvere shqiptare që i dha fund një federate të padrejtë jugosllave.
Në 41 vjetorin e demonstratave të pranverës ’81, bashkë me deputetët e Kuvendit vizituam veprimtarin dhe ish deputetin, Ali Lajçi, dhe pritëm në kryeministri veprimtarë e veprimtare, ish të burgosur, bashkë organizatorë të demonstratës së 11 marsit të vitit 1981. Bashkëbisedimi me ta na e kujton rrugën e gjatë, të pakthyeshme e përplot krenari të ngritjes dhe çlirimit të Kosovës.