11:32 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

Sërish përplasje midis Osmanit e Hotit

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kreu i Ekzekutivit, Avdullah Hoti, sërish sot kanë shkëmbyer replika në distancë derisa po mbahej një seancë në Kuvend.

Arsye ishte seanca e kaluar parlamentare kur kryeministri tha se ka prezantuar platformën e tij për dialogun me Serbinë, porse me këtë nuk u pajtua kryetarja e Kuvendit.

Sipas kryeministrit Hotit, në seancën e kaluar ai kishte mbajtur një fjalim ku kishte treguar se cila është platforma e tij, por Osmani i tha se seanca e kaluar ishte thjesht debat, jo prezantim i platformës, sepse ajo vjen e shkruar.

Gjithashtu Hoti tha se kishte kërkuar të formohej një grup i veçantë parlamentar që do ta mbikëqyrte delegacionin dialogues në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, por edhe këtu kishte hasur në kundërshtim të Osmanit.

“Grupet parlamentare nuk formohen ad hoc, por ato i formojnë deputetët e Kuvendit dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Osmani.

Prejse LDK-ja e ka shkarkuar Osmanin nga pozita e nënkryetares dhe në vend të saj e ka emëruar Hotin, këta të dy kanë shkëmbyer replika në vazhdimësi dhe kanë shpërfaqur mospajtime gjatë gjithë kohës.