Pratipati: Qeveria e Kosovës duhet të garantojë sigurinë dhe përfaqësimin e serbëve

E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë Anna Pratipati, në një intervistë me një grup mediatik në gjuhën serbe, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj dhe se Kushtetuta dhe ligjet garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta dhe të mund të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës.”
Ajo tha se në të njëjtën kohë, pritet që serbët e Kosovës të marrin përgjegjësinë për ndihmë në ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë.
“Kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty. Pjesëmarrja siguron rolin tënd në formësimin e së ardhmes”, tha zyrtarja amerikane duke shtuar se çdo ndryshim që prek serbët në Kosovë duhet të zbatohet në konsultim me serbët në Kosovë. Nuk ka alternativë tjetër për këtë, dhe nuk ka proces të njëanshëm, shtoi ajo.
Duke folur mbi institucionet paralele të Serbisë në Kosovë – arsimi dhe shëndetësia, zyrtarja e lartë amerikane tha se ato do të duhet të përfshihen në sistemin e Kosovës.
“Institucionet paralele të drejtuara nga serbët duhet përfundimisht të përfshihen në sistemin e Kosovës. Megjithatë, mënyra se si bëhet kjo është me rëndësi thelbësore. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë në lidhje me ofrimin e arsimit dhe kujdesit shëndetësor për komunitetin serb të Kosovës dhe ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësime në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe pa koordinim me komunitetet e prekura. Ky nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Varet nga komuniteti serb i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të punojnë së bashku, me një theks të veçantë në sigurimin që institucionet të ruajnë ose përmirësojnë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve”, tha Pratipati.