Prattipati: Heqja e tarifave do të forcojë marrëdhëniet ekonomike SHBA-Kosovë

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati ka deklaruar se heqja e tarifave për produktet amerikane në Kosovë do të forcojë marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Kosovës.
Ajo tha se Kosova, duke hequr tarifat, ka përmirësuar qasjen ndaj produkteve amerikane dhe i ka bërë më të arritshme për qytetarët e saj.
Kosova muajin e kaluar ka marrë vendim për heqjen e taksës 10 për qind për produktet amerikane.
Diplomatja amerikane në Kosovë tha se ky vendim ka hapur mundësi të reja për investim nga bizneset amerikane në Kosovë, si dhe forcim të tregtisë dypalëshe.
“Kjo është një arritje e madhe dhe një pikë kthese në partneritetin tonë. Sot po festojmë vendimin e Kosovës për të eliminuar tarifat doganore mbi produktet amerikane. Ky vendim pasqyron vizionin tonë të përbashkët për më shumë tregti, investime dhe mirëqenie mes dy kombeve tona. Në një kohë kur shpesh ka mospajtime mbi politika, vizione për të ardhmen dhe rrugët se si të ecim përpara, është me të vërtetë mbresëlënëse që si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë, ekziston një pajtim i plotë se shpresa më e madhe për prosperitetin e ardhshëm qëndron tek forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes nesh. Veprime si ky vendim e thellojnë dhe e forcojnë kornizën tonë të tregtisë dhe investimeve. Ky nuk është thjesht një ndryshim politikash – është një deklaratë e përkushtimit gjithnjë e më të madh të Kosovës ndaj partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe konsumatorët. Duke hequr tarifat, Kosova ka përmirësuar qasjen ndaj produkteve amerikane me cilësi të lartë, duke i bërë ato më të arritshme për qytetarët e saj, si dhe ka hapur mundësi të reja si për bizneset amerikane ashtu edhe për ato kosovare. Ky vendim është fitimprurës për të dyja vendet dhe do të forcojë tregtinë dypalëshe, duke nxitur rritjen ekonomike”, tha ajo.
Këto komente Prattipati i bëri në diskutimin që Oda Ekonomike Amerikane bëri të mërkurën për ndikimin e largimit të këtyre barrierave tarifore për produktet amerikane.
Pjesë e panelit diskutues ishte edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se pret që ky vendim të shërbejë si mundësi për arritje të marrëveshjes për tregti të lirë mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Ky vendim e forcon partneritetin strategjik që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hapur rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve, qoftë amerikane apo edhe nga shtete të tjera, kur kemi një raport të tillë tregtar me sa më pak kufizime. Ky vendim, përveç thellimit të bashkëpunimit dhe testamentit për bashkëpunimin e shkëlqyer me SHBA, ka në vetvete edhe qëllimin për rritjen e vëllimit të këmbimit tregtar, shkëmbimeve teknologjike dhe krijimin e kushteve të favorshme për investime nga kompanitë amerikane në Kosovë… Ky vendim i qeverisë sonë të shërbejë si shenjë apo hap i vullnetit të mirë për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Po ashtu edhe drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, tha se vendimi për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane do të ketë efekt pozitiv në shumë fusha, teksa përmendi edhe rolin e MSA-së në bashkëpunimin ekonomik me vendet e BE-së.
“Ne presim që efekti të jetë i konsiderueshëm në shumë fusha, në veçanti në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Kur e marrim parasysh përvojat që kemi me vendet e BE-së kur ka hyrë në fuqi MSA-ja, e cila ende nuk i ka bërë dhjetë vite. Nëse krahasojmë në eksport dhe import të dhjetë viteve para marrëveshjes dhe dhjetë viteve pas marrëveshjes, vërejmë se ka pasur efekt shumë të madh”, theksoi Llugaliu.
Nikoqiri i këtij takimi, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se ky vendim do të hapë rrugë shkëmbimit më të madh tregtar mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe do të rrisë investimet amerikane në Kosovë.
“Vendimi si i tillë hap rrugë edhe për shkëmbim më të madh tregtar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e kemi thënë edhe ne si Odë Amerikane, që vendimi do të çojë pashmangshëm edhe në rritjen e prodhimit dhe investimeve të huaja amerikane në Kosovë”, tha ai