Prattipati: Kosova e para në Evropë që pranoi shtetasit e vendeve të treta, faleminderit partneres tonë

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka falënderuar vendin për gatishmërinë për të pranuar shtetasit e vendeve të treta, të larguara nga SHBA-ja.
Duke shpërndarë mesazhin e të ngarkuarës me detyrë, Anu Prattipati, në letrën falënderuese vlerësohet partneriteti i Kosovës, si vendi i parë që ka shprehur gatishmërinë për të pranuar shtetasit në fjalë, shkruan IndeksOnline.
“Faleminderit partneres tonë, Kosovës, vendit të parë në Evropë që njoftoi pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara. Sigurimi i kufirit të SHBA-së është një përparësi kyçe e administratës Trump dhe unë e vlerësoj shumë, si qeverinë, ashtu edhe popullin e Kosovës, për partneritetin e tyre”, deklaroi Prattipati.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.
“Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, njoftoi ekzekutivi në detyrë, pasi mbajti një mbledhje elektronike më 11 qershor./IndeksOnline/
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) June 14, 2025