75 Mall Live Search
20:34 / E Martë, 01 Korrik 2025 / Burim

Prattipati: Kosova vendi më proamerikan në botë, shembull i një partneriteti që jep rezultate

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në organizimin për festimin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se historia e Kosovës ngjan me atë të ShBA’së.

Ajo ka thënë se Kosova është shembull i qartë i një partneriteti që jep rezultate, teksa shtoi se s’ka vend më të mirë për ta festuar këtë ditë sesa Kosova, vendi më pro-amerikan në botë.

“Dhe ne e kuptojmë rrugëtimin e Kosovës. Historia juaj ngjan me tonën. E kemi kaluar edhe ne këtë rrugë më parë dhe vazhdojmë ta ecim së bashku me ju. Ndaj, ndërsa i afrohemi përvjetorit të 250-të të Amerikës vitin tjetër, le të nderojmë arritjet që po i realizojmë së bashku që tani. Përvojat tona të përbashkëta, puna jonë e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët më bëjnë krenare që shërbej këtu. Faleminderit që po festoni bashkë me ne sonte. Faleminderit për miqësinë dhe përkushtimin tuaj ndaj partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. ”, ka deklaruar Prattipati në fjalimin e saj.

Ajo ka folur edhe për bashkëpunimin ekonomik, duke përmendur hapjen e bizneseve amerikane në Kosovë.

“Vetëm muajin e kaluar, kemi parë disa biznese të reja amerikane duke hapur dyert pikërisht këtu në Kosovë. Disa prej tyre janë këtu me ne sonte. Këto janë çaste të rëndësishme në thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike. Më lejoni që për një çast të ndalem për të reflektuar se çka nënkupton ky partneritet. Për ne, nuk ka të bëjë vetëm me atë se që SHBA-ja e arrin për vete. Ka të bëjë me faktin që fuqia e Amerikës ndihmon për të fuqizuar edhe partnerët e saj. Sepse një Amerikë më e begatshme do t’i lartësojë edhe të tjerët – prej rritjes së marrëdhënieve ekonomike e deri te bashkëpunimi në siguri që forcon stabilitetin rajonal. Kosova është shembull i qartë i këtij partneriteti që sjell rezultate. “, ka deklaruar Prattipati.