75 Mall Live Search
11:15 / E Premte, 12 Shtator 2025 / S Z

Prattipati për deklaratat e Kurtit: Veprimet që dobësojnë stabilitetin politik dhe ekonomik, sfidë serioze për partneritetin tonë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është e zhgënjyer me deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me Gjykatën Kushtetuese, i cili në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje e kishte quajtur ‘hije politike të opozitës’ ndaj Vetëvendosjes.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Prattipati tutje ka thënë se këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, ka theksuar Prattipati në një përgjigje për Telegrafin.

Ajo tutje ka thënë se çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin reciprok.

“Jemi duke e shqyrtuar me kujdes përgjigjen tonë, por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, ka thënë Prattipati.

Ndryshe, ditë më parë lideri i LVV-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.