75 Mall Live Search
17:04 / E Enjte, 07 Nëntor 2024 / H F

Premtimet që bëri Trump gjatë fushatës

Në fjalimin e tij ku shpalli fitoren në zgjedhje, Donald Trump u zotua se do të udhëhiqet nga një moto e thjeshtë gjatë qeverisjes së tij: Premtime të bëra, premtime të mbajtura.

Trump ka premtuar dëbimet masive të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së si dhe përfundimin e ndërtimit të murit në kufirin me Meksikën që filloi gjatë presidencës së tij të parë.

Ai ka thënë se do t’i japë fund inflacionit, do të bëjë shkurtime gjithëpërfshirëse të taksave dhe ka propozuar që bakshishi të jetë pa taksa. Ai ka sugjeruar gjithashtu tarifa të reja prej të paktën 10% për shumicën e mallrave të huaja.

Ashtu siç bëri gjatë mandatit të tij të parë, Trump është zotuar të shkurtojë përsëri rregullat mjedisore, si një mënyrë për të ndihmuar industrinë amerikane të makinave. Ai gjithashtu dëshiron të rrisë prodhimin e lëndëve djegëse fosile në SHBA.

Trump ka kritikuar dhjetëra miliarda dollarë të shpenzuara nga SHBA për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë dhe është zotuar t’i japë fund konfliktit “brenda 24 orëve” përmes një marrëveshjeje të negociuar.

Ai dëshiron që SHBA të shkëputet nga konfliktet e huaja në përgjithësi. Lidhur me luftën në Gaza, Trump është pozicionuar si një mbështetës i vendosur i Izraelit, por i ka kërkuar aleatit që t’i japë fund operacionit të tij. Po ashtu është zotuar t’i japë fund dhunës së lidhur në Liban, por nuk dha detaje se si.

Kundër dëshirës së disa prej mbështetësve të tij, Trump tha gjatë debatit presidencial me Kamala Harris se ai nuk do të nënshkruante në ligj një ndalim kombëtar të abortit.

Në vitin 2022, e drejta kushtetuese mbarëkombëtare për abortin u rrëzua nga Gjykata e Lartë, e cila kishte një shumicë gjyqtarësh konservatorë pas presidencës së parë të Trump.

Të drejtat riprodhuese u bënë një temë kryesore e fushatës për Harris, dhe disa shtete miratuan masa për të mbrojtur ose zgjeruar të drejtat e abortit në ditën e votimit.

Vetë Trump ka thënë rregullisht se shtetet duhet të jenë të lira të vendosin ligjet e tyre për abortin, por u përpoq të gjente një mesazh të qëndrueshëm të tijin.

Presidenti i ri është zotuar të shkarkojë “brenda dy sekondave” nga marrja e detyrës, prokurorin veteran që drejton dy hetime penale kundër tij.

Prokurori i posaçëm Jack Smith ka paditur Trump për përpjekjet e supozuara për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara.

Trump mohon çdo keqbërje dhe arriti të parandalojë që çështjet të shkojnë në gjyq përpara zgjedhjeve. Ai thotë se Smith e ka i ka kthyer këto hetime në një “gjueti politike shtrigash”.