20:24 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Premtimi i Haradinajt për gjigantin e Ferronikelit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me 1 maj vizitoi komunat e Drenicës, Drenasit dhe Skenderajn.

Në Drenas, shefi i ekzekutivit u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci dhe me disa përfaqësues të punëtorëve të Ferronikelit. Pas takimit, i pari i vendit deklaroi se Qeveria do t’ia kthejë borxhin prej 2 milionësh eurosh fabrikës Ferronikel.

Përmes kësaj pagese po synohet të kryhen obligimet ndaj punëtorëve, duke i paguar për muajin mars dhe prill. “Konstatohet se Qeveria e Kosovës i ka borxh Ferronikelit një shumë të caktuar të parave, diku 2 milionë euro, në formë të rimbursimit të TVSH-së, me të cilën shumë ndërlidhen edhe dy paga të punëtorëve për muajt mars dhe prill”, ka thënë Haradinaj.

Mirëpo, kjo ndihmë e Qeverisë, nuk ndikon në nisjen e prodhimit të gjigantit Ferronikel.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit, Fehmi Nika për “Indeksonline” ka thënë se gjatë bisedës me kryeministrin kanë shprehur shqetësime për gjendjen në fabrikë.

Ai ka shtuar se shumën të cilën pritet ta jap qeveria do të kryhen pagesat e punëtorëve, por që prodhimi varet prej rrethanave të tjera.

“Kryeministri e ka vizituar komunën, ne kemi shprehur shqetësimet për gjendjen në Ferronikel. Kryeministri tha që se shpejti do t’i kthej borxhin Ferronikelit si formë rimbursimi të TVSH-së. Nëse ato i kryen, atëherë kryhen edhe pagesat e punëtorëve. Por prodhimi nuk nis, varet prej rrethanave të tjera”, ka thënë Nika.

Ai shpreson se prodhimi të nisë së shpejti.

“Po shpresojmë që do të nis së shpejti. Gjendja e punëtorëve është e njëjtë, disa janë në punë. Pushimet, rrogat nuk do të ju ndryshojnë e kështu”, ka shtuar ai.
Edhe dy ditë bëhen 1 muaj që kur punëtorët e kësaj fabrike kanë ndërprerë punën, derisa ende nuk dihet se kur do të nisin.

Ndërsa, menaxhmenti i kësaj fabrike kohë më parë është deklaruar se kur lënda e parë të jetë në dispozicion, atëherë ata do të vazhdojnë të operojnë me kapacitet të plotë dhe sipas programim.

Ndryshe, janë rreth 820 punëtorë dhe rreth 200 kontraktor të cilët mbajnë familjet nga kjo punë./Indeksonline/