Premtimi i Kurtit: 3.2 milionë euro do t’i investojmë për ndërtimin e rrugës Malishevë-Kijevë
Kandidati për kryeministër i LV-së, Albin Kurti, ka premtuar 3.2 milionë euro investime për ndërtimin e rrugës Malishevë-Kijevë.
“KOSTT- i ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e nënstacionit energjetik për Malishevën në vlerë prej 6.7 milionë euro. Krejt këto investime, për Malishevën e kudo në Kosovë, janë rrjedhshmëri e zhvillimit të gjithmbarshëm në këtë mandat qeveritar. Sepse progresi është i mundur kur e luftojmë krimin e korrupsionin”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se e kanë rritur punësimin nga 350 mijë në 435 mijë të punësuar.
“Nga 26% papunësia ka rënë në më pak se 11%. Edukimin po e lidhim me tregun e punës, që për çdo diplomë të shkollës të ketë një vend të punës. Në veri i kemi mbyll 29 rrugë ilegale, komunat paralele e zyra ilegale, e kemi ndal dinarin e prodhimin ilegal të kriptovalutave. Çdo cep i shtetit frymon ndryshe në katërvjeçarin e fundit, andaj vazhdojmë tutje edhe pas 28 dhjetorit, për më shumë siguri e begati për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

