16:58 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Presidenca deklarohet për dialogun, nuk varemi nga agjenda e Serbisë

Më 1 shkurt u mbajt raundi i fundit i bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ishte 31 gushti që bëri bashkë për herë të fundit në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësuese së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Qëllimi i këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve lidhur me vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me një fokus në përgatitjen e fillimit të një faze të re të dialogut, për të cilën u dakorduan dy presidentët në korrik, shkruan Indeksonline.

Tash e pothuajse nëntë muaj nga shkurti, delegacioni i Serbisë ka nisur përgatitjet e para për fazën e re të dialogut.

Serbia ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit ose më së largu deri në fund të muajit, grupi punues për mbështetjen e dialogut të Brendshëm mbi Kosovën do të mbaj takimin e parë.

Sipas raportimeve të medieve serbe, pas këtij takimi do të dihet se kur dialogu do të filloj formalisht dhe kujt do t’i bëhen thirrjet e para për konsultime.

Për dallim nga Serbia, në Presidencë të Kosovës nuk po flitet për një hap të tillë.

Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit Hashim Thaçi ka thënë për Indeksonline se Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me veprimet e Serbisë.

“Platforma e Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë, duke përfshirë strategjinë dhe taktikat dialoguese nuk ka asgjë të përbashkët me veprimet që bënë Serbia”, ka thënë Çollaku.