75 Mall Live Search
22:31 / E Martë, 07 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Presidenca kundër shtrenjtimit të rrymës

Zyra e Presidentes së Kosovës e ka pritur me shqetësim mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga rregullatori që mundësisht të shmanget një vendim i tillë.Qeveria sugjeron që tarifat për amvisëritë të mbesin të pandryshuara, kërkon përshtatje për tarifat e bizneseve. Ndërkaq. KEDS, KESCO, KEK dhe KOSTT kërkojnë reflektim në tarifa të energjisë të kostove të prodhimit, shpërndarjes dhe transmisionit të energjisë.

Zyra e Presidentes së Kosovës i ka rekomanduar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e shmangies së rritjes së tarifave të energjisë.“Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lart, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”.

Në komentet e Qeverisë i kërkohet Zyrës së Rregullatorit që të ruhen amvisëritë dhe të përshtaten tarifat për bizneset.

“Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023 sugjerojmë që tarifat për amvisëritë të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”.

Korporata Energjetike e Kosovës i ka kërkuar ZRRE-së që në tarifat e ardhshme të reflektohet kostoja e prodhimit të energjisë, duke arsyetuar se nuk ka pasur ndryshim prej vitit 2019. Dy kompanitë private, KEDS dhe KESCO, i kanë kërkuar rregullatorit që t?u njihen të gjitha kostot e punës së ndërmarrjes.KEDS i kërkon ZRRE që t’i marrë parasysh sfidat që e presin sektorin energjetik e veçanërisht Operatorin e sistemit të shpërndarjes gjatë pesëvjeçarin e ardhshëm, si rezultat edhe i procesit të tranzicionit energjetik.

Ndër të tjera, KEDS-i i kërkon ZRRE-së që për periudhën 2023-2027, ta vlerësojë çështjen e ngritjes së pagave për punonjësit e kompanisë, e cila nuk është e harmonizuar me pagat e operatorëve të tjerë të sektorit të energjisë në Kosovë.Kompania tjetër, KESCO, ia bën të qartë rregullatorit se i duhen të hyra të lejuara prej 400 milionë eurosh për operim të sigurt.

Zyra e Rregullatorit ka paralajmëruar se tarifat e energjisë elektrike nga një prilli, për një vit do të kenë një rritje prej 14%. Vendimi final i pritet të merret pas shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesit. /rtk/