Presidenti Biden bën homazhe para policit që humbi jetën pasi u godit nga vetura

Presidenti Joe Biden dhe ligjvënësit amerikanë të martën i bënë homazhe në një ceremoni në Kongres oficerit të Policisë së Kapitolit, i cili humbi jetën në një incident në fillim të këtij muaji, në të cilin një person goditi me makinë dy policë dhe më pas u përpoq të sulmonte me thikë policët e tjerë.
William Evans, anëtar i Policisë së Kapitolit me 18 vjet përvojë dhe baba i dy fëmijëve të vegjël, vdiq në spital pasi u godit nga automjeti më 2 prill. Arkivoli i tij i mbështjellë me flamurin amerikan, i vendosur në mes të rotundës së ndërtesës së kongresit, u rrethua nga një numër i të pranishmëve, përfshirë anëtarët e familjes së zotit Evans.

Presidenti Biden tha para tyre: “Ju do ta tejkaloni dhimbjen duke përqafuar dhe inkurajuar njëri-tjetrin”, duke iu referuar dhimbjes së tij kur ai humbi një anëtar të familjes së tij. “Lutja ime për të gjithë ju është që të vijë dita kur kujtimi i tij t’ju bëjë të buzëqeshni. Unë ju premtoj se ai moment do të vijë”.

Menjëherë pas komentit, Presidenti Biden shkoi tek anëtarët e familjes Evans dhe i dha djalit të zotit Evans një objekt që dukej si monedhë e madhe ose medalion.