75 Mall Live Search
08:32 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / S Z

Presidenti francez uron presidenten Osmani në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në 18-vjetorin e pavarësisë. Teksa përmend faktin që Kosova njeh përkushtimin e Francës për pavarësinë e Kosovës, theksoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Letra e plotë:

Zonja presidente,

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju përcjell të gjitha urimet e mia, në emër të Francës dhe në emrin tim personal.

Ju e njihni përkushtimin që Franca i kushton pavarësisë së Kosovës dhe perspektivës evropiane të vendit tuaj, si dhe bindjen time se ribashkimi i kontinentit tonë kalon përmes anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Përballë çrregullimit dhe brutalizimit të botës, uniteti i kontinentit tonë duhet të mbetet prioriteti ynë kolektiv.

Në këtë frymë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një çështje e sigurisë evropiane dhe një dimension qendror i procesit të afrimit të tyre evropian. Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Marrëveshjet e Brukselit–Ohrit kanë përcaktuar drejtimin. U takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e marra.

Në bazë të vlerave tona të përbashkëta në fusha sa të ndryshme aq edhe themelore, si olimpizmi, frankofonia apo promovimi i të drejtave të grave, shpreh dëshirën që bashkëpunimi ynë të zhvillohet edhe në fusha strukturore për të ardhmen e Kosovës, përmes forcimit të shkëmbimeve tona ekonomike.

Ju lutem pranoni, zonja presidente, shprehjen e respektit tim më të lartë.

Emmanuel Macron

Shkëlqesisë së saj zonja Vjosa OSMANI-SADRIU