75 Mall Live Search
20:03 / E Martë, 18 Shkurt 2025 / MSH

Presidenti hungarez: Shpresojmë që Kosova të arrijë reformat për BE

Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, i ka dërguar një mesazh urimi presidentes Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti Sulyok ka theksuar mbështetjen e Hungarisë për zhvillimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që në Kosovë të arrihen sa më shpejt reformat politike, ekonomike dhe sociale të nevojshme për të siguruar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, ka shkruar Sulyok.

Gjithashtu, ai ka shprehur kënaqësinë e tij për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Kosovës, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

“Në këtë frymë – duke konfirmuar datën tashmë të dakorduar përmes kanaleve diplomatike – kam kënaqësinë t’ju ftoj Ju, Zonjë Presidente, që të realizoni një vizitë zyrtare në Hungari më 17 qershor 2025”, ka shkruar Sulyok.