Presidenti i Azerbajxhanit: Armenia do të përgjigjet para gjykatave ndërkombëtare për dëmet

Presidenti Ilham Aliyev, ka thënë se Armenia do të mbajë përgjegjësi para gjykatave ndërkombëtare për të gjitha dëmet dhe shkatërrimet e kryera në territoret e Azerbajxhanit që ka mbajtur nën okupim për 30 vitet e fundit.
Sipas mediave të huaja, ditën e djeshme Aliyev i shoqëruar nga gruaja e tij Mehriban, vizitoi provincat Fuzuli dhe Jabrayil, të cilat u çliruan nga okupimi armen nga ushtria e Azerbajxhanit. Ai mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurëthemelit për rrugën e re që do të ndërtohet midis Fuzulit dhe Shushas.
Duke kujtuar se ky projekt do të jetë i pari që do të zbatohet në territoret e çliruara nga pushtimi, Aliyev deklaroi se me çlirimin e qytetit të Shusha, Armenia kuptoi se ishte e pakuptimtë të bënte rezistencë kundër Azerbajxhanit.
“Armiku u detyrua të nënshkruajë kapitullimin më 10 nëntor. Çlirimi i Shushas nga okupimi tregoi forcën tonë, profesionalizmin e ushtrisë sonë, guximin dhe heroizmin e ushtarëve tanë. Operacioni për qytetin Shusha do të zërë një vend të veçantë në historinë e luftërave botërore. Ushtarët tanë heroik kryen këtë operacion duke kaluar kodra dhe shtigje vetëm me armë të lehta. Çlirimi i Shusha-s është fitorja jonë e lavdishme”, tha Aliyev.
Gjithashtu, duke deklaruar se dëmi i shkaktuar nga armenët në rajon gjatë viteve do të llogaritet dhe të drejtat e viktimave do të kompensohen nga shteti, Aliyev tha se njerëzit më në fund do të kthehen në atdheun e tyre.
“Vetëm shikoni egërsinë që ata kanë bërë. Ata dogjën shtëpi, ndërtesa, shkolla, prenë pemë. Ata prenë linja elektrike. E gjithë bota i sheh ata. Ata nuk kanë ndërgjegje apo moral. Për këto arsye, fitorja në luftën e 2-të të Karabakut ka një rëndësi të madhe historike. Nuk është çështja vetëm në atë që Azerbajxhani çliron territorin e tij, por të tregojë se si përfundojnë pushtuesit. E gjithë bota duhet ta dijë se çfarë do të thotë egërsia armene. Ne do t’ia tregojmë botës, edhe qytetet tjera janë në të njëjtën situatë. Sikur këtu të ketë kaluar ndonjë fis i egër. Ata donin të fshinin trashëgiminë tonë kulturore dhe fetare duke shkatërruar dhe plaçkitur gjithçka, por ata dështuan. Sepse ne u kthyem. Nga tani ne do të jetojmë këtu siç kemi jetuar shekuj më parë. Qyteti i shkatërruar Fuzuli është një dëshmitar i gjallë i fashizmit armen. E gjithë bota duhet ta shohë këtë dhe nuk duhet të heshtë dhe të jetë aq indiferent sa 30 vitet e kaluara. Kjo indiferencë ishte era në shpinën e pushtuesit armen,”-ka thënë ai.
Sakaq, gjatë vizitës së tij në qytetin Gabriel, Aliyev uroi të gjithë popullin e Azerbajxhanit, duke thënë se Malësia e Karabakut i përket atyre, ku vuri në dukje atë që kishte lënë pas pushtimi armen, duke thënë se Armenia do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Ata shkatërruan të gjitha ndërtesat dhe të gjithë infrastrukturën. Prandaj, ata do të mbajnë përgjegjësi përpara gjykatave ndërkombëtare. Do të vijnë ekspertë ndërkombëtarë, do të llogaritet i gjithë dëmi që na është bërë në 30 vjet. Ata menduan se populli azerbajxhanas nuk do të kthehej më këtu. Prandaj shkatërruan gjithçka. Por ata gabuan. Ne u kthyem. Ne do të rindërtojmë të gjitha këto vende”, përfundoi Aliyev.
Lufta mes dy vendeve ka rifilluar më 27 shtator, për rajonin e Nagorno-Karabakut. Rajoni është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i kontrolluar nga armenët. Kur u shkëput në fillim të viteve 1990, dhjetëra mijëra njerëz vdiqën në luftime. Ndërkohë pas fillimit të luftës, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se është i sigurtë për të rimarrë kontrollin mbi rajon. Si pasojë e luftimeve të zhvilluara janë vrarë shume persona, midis tyre dhe civil. Të dy vendet fajësojnë njëra-tjetrën për nxitjen e luftës. Turqia është fajsuar se është përshirë në luftë duke shkatërruar një avionë ku humbi jetën dhe piloti, akuzë e cila është hedhur poshtë nga Tuqia. Shumë vende i kanë bërë thirrje për të ndaluar dhe pas 3 armëpushimeve të shkelura një javë më parë është vendosur marrëveshja e fundit e ndërmjetësuar nga Moska dhe luftimet kanë përfunduar.