Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, nderohet me Medaljen e Nderit

Sot, futbolli kosovar dhe mbarë vendi ynë u nderuan me vizitën e Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u dekorua me Medaljen e Nderit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve, zv/presidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ambasadorë të akredituar në Kosovë, futbollistët e Kombëtares, legjendat e futbollit kosovar, gjenerata e sakrificës, drejtues të klubeve dhe mysafirë të shumtë, presidenti Infantino shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë nder dhe emocionin që e ndien sa herë që viziton Kosovën.
“Është nder dhe kënaqësi e madhe të jem këtu, në shtëpinë time – në Kosovë. Kjo medalje është një vlerësim që ia dedikoj mikut tim të madh, Fadil Vokrrit dhe të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh presidenti Infantino, duke theksuar se “sot Prishtina është kryeqyteti i botës”.
Ai tutje theksoi se është e rëndësishme që Kosova të investojë në futboll. “Besoni në këta djem, besoni në fëmijët tuaj, në të ardhmen tuaj dhe në futboll sepse magjia e futbollit është unike”.
Paraprakisht në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, presidenti Agim Ademi bashkë me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së i dëshiroj mirëseardhje presidentit Infantino dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që FIFA ka dhënë për zhvillimin e futbollit kosovar, duke theksuar se vizita e tij është një tjetër dëshmi e miqësisë dhe përkushtimit ndaj futbollit të Kosovës.