Presidenti i Gjilanit reagon pasi Sokoli tha se klubi do të luftojë për ekzistencë

Gjilani nuk e ka nisur mirë sezonin pranveror të futbollit. Pasi u eliminua nga Kupa e Kosovës, kjo skuadër dështoi të fitonte edhe në Superligë, duke humbur me Llapin dhe barazuar me Feronikelin.
Trajneri Bylbyl Sokoli deklaroi të dielën se Gjilani do të luftojë për ekzistencë nëse vazhdon kampionatin me këtë formë.
Pavarësisht mungesës së rezultateve, presidenti Florim Zuka i ka dhënë mbështetje ‘Profës” për të vazhduar punën.
“Trajneri është shef i shtabit teknik dhe i di punët më mirë, unë nuk u përzihem në ato punë. Nuk mundësh në gjysmë të sezonit të merresh vesh me një trajner, me i thënë unë e du këtë, këtë, këtë. Ne kemi pas marrëveshje me Sokolin, me fillu punën dhe me arritë aq sa mundet. Për mua ai vazhdon të jetë trajner i Gjilanit. Kur të kthehem, do të takojë shtabin teknik, lojtarët, ta shohim ku jemi” deklaroi Zuka për Indeksonlinen.
Për mungesën e rezultateve pozitive, ka dyshime që futbollistët nuk janë të kënaqur me punën e Sokolit. Pas barazimit me Feronikelin, Sokoli kishte deklaruar se lojtarët nuk kanë përfillur kërkesat e tij.
“Është e mundur që lojtarët nuk lujnë sipas kërkesave dhe sigurisht që trajneri nuk gënjen në atë drejtim, por po e përsëris, kur të kthehem në Kosovë do të ulem të bisedoj edhe me trajnerin edhe me lojtarët dhe do ta gjejmë një zgjidhje”, deklaroi presidenti Zuka.
Pas 20 javësh, Gjilani është në vendin e 4-të në tabelë me 30 pikë, 10 më shumë se Drenica që është në vendin e 9-të.
/Indeksonline/