75 Mall Live Search
13:33 / E Mërkurë, 23 Shkurt 2022 / B O

Presidenti i Iranit: Ne kemi kapacitet për të furnizuar botën me gaz natyror

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka deklaruar gatishmërinë e vendit të tij për të furnizuar botën me gaz natyror, përfshirë Evropën.

Duke u adresuar në samitin e gjashtë të Forumit të Vendeve Eksportuese të Gazit (GECF) në Doha të Katarit, Raisi tha se Irani si një nga mbajtësit më të mëdhenj të rezervave të gazit natyror në botë, ka kapacitet për ta furnizuar atë në mbarë botën, si dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë iniciativat që synojnë të garantojnë sigurinë e tregut global të energjisë.

Ky është udhëtimi i katërt jashtë vendit i presidentit iranian që nga marrja e detyrës në muajin gusht, ndërsa në Katar është vizita e tij e parë.

Raisi tha se vendi i tij ka qenë në gjendje të rrisë prodhimin e gazit natyror dhe të kryejë projekte të rëndësishme në sektorët e naftës dhe gazit duke përdorur ekspertizën dhe burimet vendase.

Ai tha se sanksionet e vendosura kundër “kombeve të lira” nga “fuqitë hegjemoniste”, duke iu referuar në mënyrë indirekte SHBA-së, nuk janë “më efektive”, si dhe kërkoi bashkëpunim më të ngushtë midis vendeve eksportuese të gazit për të anashkaluar sanksionet.

Komentet e presidentit Raisi vijnë në mes të tensioneve të rritura midis Rusisë dhe Perëndimit mbi krizën në Ukrainë, që ka kërcënuar prishjen e tregut global të energjisë.

Dje, çmimet e naftës arritën në 100 dollarë për fuçi, çmim më i lartë në më shumë se shtatë vitet e fundit. E ardhmja e gazit natyror të Evropës po ashtu përjetoi tronditje, duke u rritur më shumë se 13 për qind pasi Rusia furnizon më shumë se një të tretën e konsumit të gazit të kontinentit.

Komentet e presidentit iranian, që synonin të qetësojnë situatën në tregun e energjisë, gjithashtu po shihen si një deklaratë solidariteti me aleatin kryesor rajonal Rusinë, e cila është kërcënuar me sanksione të ashpra nga vendet perëndimore nëse pushton Ukrainën.

Dje në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, u bëri thirrje të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje dhe të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes bisedimeve dhe brenda një kuadri paqësor”.

Khatibzadeh tha se Irani beson se “çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet duhet të shmanget”.

Ndërkohë, ministri iranian i Naftës, Javad Oji, në fjalën e tij përsëriti fjalët e presidentit Raisi, duke theksuar se Irani vazhdimisht ka deklaruar se ka “kapacitetin e nevojshëm” për të furnizuar me gaz vendet fqinje dhe madje edhe Evropën.

Në një intervistë televizive, Oji tha se pavarësisht konsumit dhe eksporteve të larta të brendshme, shumë nga fushat e gazit të vendit mbeten të paprekura dhe se në vitet e fundit po ashtu janë zbuluar fusha të reja të gazit.

Ai tha se shumë traktate ndodhen “në kudhër” me vendet eksportuese të gazit për zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit, rindërtimin e rafinerive të naftës dhe gazit, si dhe transferimin e shërbimeve teknike dhe inxhiniere.