23:26 / E Premte, 23 Shtator 2022 / MSH

Presidenti i KE-së bën thirrje për pezullim të Rusisë nga Këshilli i OKB-së

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka bërë thirrje që Rusia pas pushtimit të Ukrainës të pezullohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Michel kërkoi reforma, të cilat ai tha se janë të nevojshme dhe urgjente, shkruan CNN.

“Kur një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara fillon një luftë të paprovokuar dhe të pajustifikueshme, një luftë e dënuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pezullimi i tij nga Këshilli i Sigurimit duhet të jetë automatik”, tha Michel gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të premten duke shtuar se Kremlini po përpiqet të “mobilizojë të gjithë botën kundër një armiku imagjinar”.

“Ne jemi këtu në Kombet e Bashkuara, shtëpia që bashkon njerëzit e botës. Dhe ne të gjithë e dimë se një sistem shumëpalësh i fuqishëm kërkon besim të ndërsjellë. Përdorimi i vetos duhet të jetë përjashtim, por po bëhet rregull,” tha ai.