Presidenti i Kroacisë reagon pas arrestimit të pilotit dhe shtetases serbe për spiunazh në Kosovë

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka reaguar pas arrestimit të pilotit të ushtrisë kroate, J.I., dhe shtetases serbe nga Kosova, Ana Murganiq, nën dyshimet për spiunazh.
Në një deklaratë nga zyra e tij thuhet se Milanoviq shpreh mbështetje për institucionet shtetërore, veçanërisht agjencinë e inteligjencës ushtarake VSOA, për identifikimin e veprave të mundshme penale në dëm të sigurisë kombëtare.

Të dy të dyshuarit janë lënë në paraburgim, ndërsa mediat kroate raportojnë se piloti dyshohet se i ka zbuluar të dashurës së tij informacione konfidenciale për KFOR-in, të cilat ajo më pas ia ka përcjellë Listës Serbe dhe kontakteve të tjera.
Hetimi është duke u zhvilluar nga policia ushtarake, civile dhe Europol, ndërsa rasti përfshin edhe të dhëna për lëvizje ushtarake në veri të Kosovës.