Presidenti i PSG-së vjen në Shqipëri, blen fruta në treg të Tiranës

Një prej njerëzve më të fuqishëm të futbollit botëror u pa aty ku askush nuk do ta priste – në një treg frutash në zemër të Tiranës.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë biznesmenin e njohur nga Katari, i cili është një ndër njerëzit më të fuqishëm në botën e futbollit, duke bërë një gjest krejt të thjeshtë dhe të zakonshëm për qytetarët: pazarin e frutave.
Nasser Al-Khelaifi është president i klubit gjigant francez Paris Saint-Germain (PSG), drejtor ekzekutiv i beIN Media Group, si dhe një figurë me ndikim të madh në sportin botëror.
Ai është gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe prej vitesh shihet si një nga njerëzit më me ndikim në vendimmarrjet kryesore të futbollit europian.
Por këtë herë, në vend të titujve për superyjet si Messi, Neymar apo Mbappé, Al-Khelaifi mori vëmendjen e rrjeteve me një moment krejt ndryshe: Duke biseduar me tregtarët shqiptarë dhe duke zgjedhur fruta, një skenë që për qytetarët vendas ishte një kombinim i çuditshëm mes thjeshtësisë dhe fuqisë.
Kjo vizitë e tij në Shqipëri dhe ky gjest i papritur ka bërë bujë dhe është komentuar gjerësisht, pasi pak kush do të imagjinonte një ndër njerëzit më të fuqishëm të futbollit duke bërë pazarin në kryeqytetin shqiptar.