18:18 / E Shtunë, 20 Korrik 2019 / indeksADMonline

Presidenti i Skënderbeut: Ne kemi qenë ‘kurban’ i UEFA-s

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku ka komentuar vendimin e CAS për të lënë në fuqi dënimin e UEFA-s, që e lë jashtë Europe klubin korçar për 10 vite, plus 1 milion euro gjobë.

E-mail anonim drejtuar UEFA-s me kërcënime? “Ne bëmë denoncim, pastaj gjithçka u ndal në Tiranë, hetimi ngeci. Na është thënë vetëm që është nisur nga një zyrë në Tiranë. Kërcënimi ka qenë i orkestruar në mënyrë fantastike. Është bërë gjatë kohës që unë isha në zyrat e UEFA-s. Pikërisht në atë moment shkon një kërcënim për inspektorët e UEFA-s. Kjo na preu të gjitha marrëdhëniet që ne kishim me UEFA-n e na çoi drejt e në gjyq”.

SportRadar? “Është një biznes që përfiton miliona euro në vit, ka 15 vite që funksionon. Më tregoni të paktën një rast të vetëm ku BFDS ka dënuar një klub futbolli. Sipas raporteve të BFDS, ata bëjnë 32.000 monitorime në vit, ku 16.000 janë të dyshuara dhe 2.000 janë në rreth të kuq. Me pak fjalë, janë 30.000 dosje, por nuk është publikuar asnjë prej tyre. A nuk na lind e drejta të kërkojmë të zbardhen? Nuk ekziston asnjë denoncim ndaj presidentit, lojtarëve apo punonjësve të Skënderbeut. Nuk ekziston asnjë rresht ku dikush të ketë folur kundër nesh”.

Akuzat e Tom Mace, funksionarit të SportRadar? “Ai është pjesë e atij biznesi. Deklaratat e tij se Skënderbeu trukon janë për të mbrojtur punën e tij. Gjithë raportet e ardhura për ndeshjet e kampionatit shqiptar, më thoni ku akuzohet Skënderbeu. Po të ishim klub i një shteti të madh, do ishte gjithçka ndryshe. Janë me mijëra raporte që u çohen federatave, por nuk janë prova për të dënuar. Në një shtet normal e të fortë, gjithë këto 15 vite monitorime do të publikoheshin dhe zbardheshin. A ka logjikë që SportRadar të ketë 10 vjet që monitoron Skënderbeun? Pse nuk është dënuar Skënderbeu që në shkeljen e parë, nëse qenkan prova këto që kanë gjetur?”

Skënderbeu kurban? “Kjo nuk diskutohet, nuk e themi vetëm ne, por edhe të huaj e kanë thënë që jemi vend i vogël dhe kryhen eksperimente. Shihni Mechelen në Belgjikë, asnjë raport nuk ka pasur, e ka zbuluar policia belge tentativën për trukim. Edhe në Spanjë, asnjë dënim nuk ka dhënë UEFA. Në rastin tonë nuk rezulton askush i përfshirë, direkt apo indirekt, por ka vetëm aludime dhe dënohet një klub për një krim që nuk ka autor. Nuk është dënuar presidenti, por po dënohet një qytet i tërë”.

E ardhmja? “Nuk do ta lë Korçën, do ta vijoj projektin tim. Korça do ketë klubin e vet të futbollit dhe në nivele të larta. Nuk e di si do vijojë pjesa e gjobës nga UEFA, që të marrim një vendim të dytë, por ne do të jemi në mbështetje të futbollit korçar. Gjoba 1 milion euro është mirëmenduar. Këtu bëhet fjalë për zhdukje, si gjoba, ashtu edhe dënimi prej 10 vitesh. Në gjithë këtë histori 2 persona dalin që janë marrë me dënimin e Skënderbeut dhe çelësat e kësaj zyre janë në Federatën Spanjolle dhe i ka Eduard Dervishi. I kemi aq mundësi për të vërtetuar përfshirjen e tij dhe të disa personave të tjerë, por do të flasim më vonë”.

Dënim i mundshëm nga FSHF? “Pak rëndësi ka, ne u dënuam nga UEFA, me FSHF e kemi fituar një herë gjyqin. Sezoni i ri do vijojë normalisht për Skënderbeun, futbollistët nën kontratë do vijojnë normalisht dhe kontratat nuk do preken”.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me ish-presidentin e Federatës Spanjolle Ángel María Villar? “Nuk e di a ka qenë mik apo armik i Shqipërisë, por mjafton të shohësh në internet dhe sheh akuza pa fund për korrupsion ndaj tij, hedhur nga media në Spanjë. Dosja e Skënderbeut ka udhëtuar nga Tirana, në Madrid e pastaj Nion, ky është itinerari. Miqtë e Dervishit kanë folur me shumë siguri nëpër studiot televizive, e kuptoni shumë mirë nëse jeni treguar pak të vëmendshëm”.

Qëndrimi i FSHF-së? “Nuk kemi pasur kohë të merremi me gjëra të tjera, jemi marrë me çështjen në CAS. Për çështjen Skënderbeu jam gati të përgjigjem në çdo moment, për të tjerat flisni me federatën”.