75 Mall Live Search
20:28 / E Premte, 26 Qershor 2020 / indeksADMonline

Presidenti i Trepçës ’89: Po dëmtohemi shkaku i mospajtimeve me Agim Ademin

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, thotë se skuadra e tij është dëmtuar nga gjyqtarët në tri nga katër ndeshjet e fundit, ndërsa tha se këto dëmtime nuk kanë arsye tjetër për të ndodhur përveç shkaku i përplasjeve të tij me kryesinë e Federatën e Futbollit të Kosovës.

Trepça ’89 u ndal me barazim 1:1 kundër Flamurtarit këtë mesjavë, rezultat ky që i la mitrovicasit në zonën e rrezikut për rënie nga liga, vetëm tre vjet pasi ishin shpallur kampionë të Kosovës.

Pas ndeshjes, klubi hodhi akuza drejt gjyqtarëve të ndeshjes, duke thënë se ata ishin dërguar në atë ndeshje me qëllim për t’ia humbur ndeshjen Trepçës ’89, dhe duke pretenduar se iu mohuan padrejtësisht një gol, një penallti dhe iu ndërpre një aksion i pastër për gol.

Kjo nuk është hera e parë që Trepça ’89 ka reaguar, pasi që në tri nga katër xhirot e fundit mitrovicasit janë ankuar për incidente të tilla kontroverse.

Presidenti i klubit, Zeka, është i bindur se klubi i tij i ka humbur pesë pikë në ndeshjet pas pandemisë vetëm shkaku i mosmarrëveshjeve me Agim Ademi – pasi që Trepça ’89 ka qenë ndër klubet më të zëshme në kundërshtimet ndaj FFK-së dhe kryetarit aktual të saj.

I pyetur në “Favorit” se a po i hakmerret Ademi dhe FFK-ja në këtë mënyrë Trepçës ’89, Zeka tha: “Po, nuk e di çfarë tjetër mund të ketë”.

“Është pikërisht kjo [kundërshtimi ndaj Agim Ademit]. Por, unë prapë them, Trepça ’89 do të ekzistojë pa Agim Ademin e me Agim Ademin, pa Eroll Salihun e me Eroll Salihun. Unë i kam përcjellë pesë presidentë të Federatës dhe do ta përcjell edhe të gjashtin”.