15:52 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / B O

Presidenti i Turqisë Erdogan do të “pushtojë” hënën

Kënga e famshme e Frenk Sinatra “Më merr në Hënë”, shumë mirë do të ishte një nga refrenet e preferuara të presidentit turk Erdogan tashmë. Kjo pasi ai nuk e fsheh aspak ambicien e tij dhe planin për të shkuar në Hënë.

Turqia prej disa vitesh po ndërton një program hapësinor të një niveli shumë të mirë, dhe synon që të ketë pjesën e vet, pas tokës dhe detit dhe në qiell. Erdogan do të shprehej vetëm pak kohë më parë: Këmbët tona janë në tokë, por sytë tanë janë drejt hapësirës. Rrënjët tona mbeten në tokë, por degët tona shkojnë në qiell.

Fjalimi i frymëzuar e madje poetik i Erdogan, u transmetua në televizion, i shoqëruar me efekte speciale. Dhe me këto fjalë lideri turk vijoi fjalimin e tij për Hënën: Shpresoj se kjo rrugë që do të çojë Turqinë në klasifikimin më të lartë për garën e hapësirës, të kryhet me sukses.

Pra nuk ka më Libi, Siri apo Kaukaz. Por as Mesdhe dhe Det të Zi. Në këtë pikë presidentit turk tejkalon cdo ambicie tokësore dhe detare, konkrete apo jo, për të shkuar në një drejtim që vendi i gjysmë hënës nuk e kishte menduar asnjëherë më parë.

Në Hënë. Madje gara për në Hënë. Njësoj si amerikanët dhe rusët. As kinezët nuk i kanë bërë publike programet e tyre hapësinore. Por republika e Turqisë e drejtuar nga njeriu i fortë që sfidon të gjithë botën, ka në mendje hapësirat e paeksploruara.

Pak ditë më parë u testua me sukses motori hibrid që do të përdoret për një mision drejt planetit të bardhë. Lajmi u konfirmua nga ministri turk i industrisë dhe teknologjisë. Ankara parashikon të dërgojë misionin e parë turk në Hënë pas dy vjetësh, në 2023-shin, kur Republika laike moderne e themeluar nga Ataturk, ati i turqve, do të mbushë 100 vjeç.

Dhe kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend, pasi në votimet e fundit partia konservatore nuk doli dhe aq mirë pasi humbi shtatë qytetet më të rëndësishme të vendit.

Programi hapësinor turk parashikon një fazë paraprake 10 vjecare, me kontakte me planetin Hënë në mënyrë që të kompletohen planet dhe studimet si dhe përgatitjet për misione të ndryshme. Një grup astronautësh janë vendosur në gatishmëri prej kohësh dhe stërvitjet specifike janë në aktivitet të plotë. Në program është dhe ndërtimi i një baze hapësinore, me satelitë dhe teknologji metereologjike.

Erdogan pati një telefonatë të gjatë në muajin janar me Elon Musk, kreun ekzekutiv të kompanisë private amerikane për eksplorimin hapësinor. Të dy folën për një bashkëpunim të zgjeruar me kompani turke.

Turqia aktualisht ka një teknologji të një niveli shumë të lartë, dhe të rinj shumë të aftë dhe ekspertë në përdorimin e robotëve të gjeneratës së fundit. Ankara ka zhvilluar vitet e fundit një seri dronesh, në gjendje për të sjellë ndryshimin në luftën në Libi apo Siri. Por dhe në Nagorno Karabakh.

Të gjitha fitore ushtarake shumë domethënëse për turqit dhe aleatët e tyre. Turqia nuk bën shaka në këtë pikë. Ëndrra e re e Erdogan mund të jetë më e realizueshme se sa duket. Dhe kurajo është një veti që nuk i mungon aspak presidentit turk.