75 Mall Live Search
11:16 / E Mërkurë, 04 Janar 2023 / B O

Presidenti i UFC-së godet me shuplakë gruan e tij

Presidenti i UFC, Dana White, u pa në një video të publikuar nga TMZ-ja duke goditur me shuplakë gruan e tij, Anne, ndërsa të dy ishin me pushime në Cabo San Lucas, Meksikë, muajin e kaluar, shkruan AP.

White ka thënë për TMZ-në në një intervistë të mërkurën se ai ishte “i zënë ngushtë” dhe i shqetësuar për mënyrën se si u prekën tre fëmijët e tij.

“Ju më keni dëgjuar të them për vite me radhë: ‘Nuk ka kurrë një justifikim që një djalë t’i vendosë duart mbi një grua’, dhe tani ja ku jam në TMZ duke folur për këtë”, ka thënë White.

Në video shihet çifti duke debatuar përpara se Anne White ta godasë fillimisht me shuplakë bashkëshortin e saj, i cili ia kthen po njëjtë përpara se të tjerët të ndërhyjnë.

“Dana dhe unë kemi qenë të martuar për gati 30 vjet”, ka thënë Anne White në një deklaratë për TMZ. “Të thuash se kjo është jashtë karakterit të tij është një nënvlerësim – asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Fatkeqësisht, ne të dy po pinim shumë natën e Vitit të Ri dhe gjërat dolën jashtë kontrollit nga të dyja palët. Ne kemi folur për këtë si familje dhe i kemi kërkuar falje njëri-tjetrit. Shpresoj se njerëzit do ta respektojnë privatësinë tonë për hir të fëmijëve tanë”.