Presidenti iranian: Gati të ofrojmë garanci, por nuk heqim dorë nga programi bërthamor

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për të hequr dorë nga programi bërthamor, Irani duket se nuk do të tërhiqet.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, thotë se vendi i tij nuk do ta ndalë aktivitetin e tij bërthamor dhe as nuk do të heqë dorë nga e drejta për të ndjekur një program bërthamor civil.
Në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, Pezeshkian, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, ka thënë se Irani ishte gati të ofronte garanci për të ndërtuar besim në aktivitetet bërthamore të Iranit, por programi i tij bërthamor nuk mund të hiqej nga kërcënimet apo lufta.
Pezeshkian e paralajmëroi gjithashtu Macronin se përgjigjja e vendit të tij ndaj sulmeve të vazhdueshme izraelite do të ishte “më shkatërruese”.
Megjithatë, Pezeshkian tha se Irani është “gati për dialog dhe bashkëpunim për të ndërtuar besim në lidhje me aktivitetet bërthamore paqësore” të vendit.