17:49 / E Mërkurë, 16 Maj 2018 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi arrin në Sofje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka arritur në Sofje, në hotelin ku shteti bullgar ka akomoduar shumicën e liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

Thaçi është parë sonte duke zbritur afër hotelit Marinela, shumë afër qendrës ku nesër do të mbahet Samiti i Sofjes, i cili po vlerësohet si një prej samiteve më të rëndësishme në këto 15 vjetët e fundit.

Thaçi, në këto momente do të hyjë në një takim me Shefen për Politike të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, njofton Klan Kosova.

Pas arritjes së tij në Sofje, ai do të takohet me Shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Thaçi me këtë rast është deklaruar para mediave, duke thënë se beson që ky takim të jetë i rëndësishëm dhe e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes si historike.

“Besoj se është një takim i rëndësishëm edhe pjesëmarrja e Kosovës është jashtëzakonisht historike. Trajtimi i Kosovës është i barabartë me të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Është rrugëtim i sigurt për shtetin. Kosova me hapat që po ndërmerr tregon se është një shtet stabil, shtet I progresit dhe reformave. Në Samitin e Sofjes, Ballkani Perëndimit dhe Kosova do të jenë në fokus”.

Samiti i BE-së dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nisë punimet nesër dhe pjesë e tij janë pothuajse të gjithë liderët e 28 shteteve anëtare të BE-së dhe liderët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Thaçi, i cili e kryeson delegacionin kosovar, në margjina të këtij samiti pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë shtetërorë të vendeve të Bashkimit Evropian, kurse nesër pasdite do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror që organizohet në Sofje.

Në të kaluarën, në samite përafërsisht të kësaj natyre, Kosova ishte prezantuar nga shefat e UNMIK-ut.

Në Samitin e Zagrebit në vitin 2000, Kosova ishte përfaqësuar nga Bernard Kouchner, kurse në Samitin e Selanikut nga Michael Steiner.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit po konsiderohet si historike.