Presidenti Thaçi priti konteshën Sophie të Wessexit, biseduan për viktimat e dhunës seksuale
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot lartmadhërinë e saj, konteshën Sophie të Wessexit, me të cilën ka biseduar për arritjet dhe sfidat në ballafaqimin me të kaluarën, veçanërisht kur është fjala për viktimat e dhunës seksuale.
Në njoftimin e shtypit thuhet se presidenti Thaçi falënderoi për vizitën dhe angazhimin e konteshës së Wessexit, por edhe të Britanisë së Madhe në përgjithësi.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e përgjithshme të Britanisë së Madhe, veçanërisht për punën dhe angazhimin në ballafaqimin me plagët si kjo e viktimave të dhunës seksuale në luftë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Lartmadhëria e saj, kontesha e Wessexit, u shpreh se është e rëndësishme që viktimat të marrin kujdesin, vëmendjen dhe përkrahjen e duhur.
Presidenti Thaçi dhe kontesha e Wessexit u pajtuan se është përgjegjësi e të gjitha segmenteve të shoqërisë që të bëjnë sa më shumë për akomodimin e të gjitha viktimave të luftës, në veçanti të viktimave të dhunës seksuale./Indeksonline/