14:48 / E Hënë, 21 Tetor 2019 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi takon kryeministrin japonez, shprehen të kënaqur me afrimin midis 2 vendeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, në fillim të vizitës zyrtare në Japoni, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të perandorit Naruhito.

Presidenti Thaçi dhe kryeministri Abe në këtë takim kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira bilaterale midis dy vendeve.

Presidenti Thaçi i ka shprehur ngushëllime kryeministrit Abe edhe për viktimat e tajfunit të fundit.

Ai është shprehur i kënaqur me avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Hapja e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe samiti i suksesshëm i bizneseve nga Kosova, Japonia e Austria në Vjenë, në fillim të këtij muaji, janë konfirmim i këtij avancimi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, gjithashtu u shpreh i kënaqur me intensifikimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen midis dy vendeve.

“Hapja e ambasadës sonë në Prishtinë, samiti i suksesshëm i bizneseve dhe Java e Kulturës Japoneze që do të mbahet muajin e ardhshëm janë konfirmim i afrimit tonë”, u shpreh edhe kryeministri Abe.

Presidenti Thaçi shtoi se Kosova e përkrah kryeministrin Abe në politikat rajonale dhe në mbylljen e çështjeve të hapura si rrëmbimi i qytetarëve japonezë nga Koreja Veriore.