18:16 / E Hënë, 13 Korrik 2020 / indeksADMonline

Presidenti Thaçi vazhdon të intervistohet edhe pas pesë orësh nga Prokuroria Speciale

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka më shumë se pesë orë prej se kur ka hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale në Hagë. Mirëpo edhe pas pesë orësh ai po vazhdon ende të intervistohet.

Siç mëson IndeksOnline, intervistimi i presidentit pritet që të vazhdojë edhe më tej deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ndryshe më 24 qershor Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit e kreut të PDK-së Kadri Veseli.

”Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) iu ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës”.

”Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

”Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ndërsa këto aktakuza ende nuk janë vërtetuar nga Gjykata Speciale.

Kujtojmë se intervistim të gjatë ka pasur edhe komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, nga prokurorët e Speciales .