Presidentja e PE-së: Kosovës t’i hiqen vizat pa vonesë, të luftohet ndikimi rus!

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është deklaruar pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka ripërsëritur qëndrimin e PE-së që Kosovës duhet t’i hiqen vizat.
“Kam bërë thirrje për integrim të mëtejshëm dhe më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor, për të luftuar ndikimin e Rusisë. Liberalizimi i vizave duhet të jepet pa vonesë”, është deklaruar ajo, transmeton Indeksonline

Ndërsa, presidentja Osmani theksoi se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane.
“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”, ka shkruar ajo. /Indeksonline/