Presidentja i gëzohet marrëveshjes me “Pfizer” për vaksina, ka një mesazh për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është gëzuar arritjes së marrëveshjes me kompaninë Pfizer për ardhjen e 1 milion e 213 mijë vaksinave.
Osmani ka kërkuar nga qytetarë që deri në përmbylljen e vaksinimit masiv të kujdesen për veten si dhe për më të dashurit, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë:
Sot, Kosova arriti marrëveshje me Pfizer për mbi 1 milion e 213 mijë vaksina. Përkundër sfidave fillestare, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve të Kosovës, do të kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të filluar vaksinimin masiv të qytetarëve tanë.
Përgëzoj në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arritje të rëndësishme. Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë.
Deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, ju ftoj që të kujdeseni për veten si dhe për më të dashurit tuaj. Të kemi besim në njëri-tjetrin. Të kemi besim se këtë sfidë të rëndë do ta tejkalojmë së bashku!