Presidentja mbledh liderët e partive, kësaj radhe për takime veç e veç

Ngërçi politik i shkaktuar nga mos konstituimi i Kuvendit ka bërë që presidentja Vjosa Osmani të ftojë në takim liderët e partive politike.
Osmani do të takohet veç e veç me krerët e të gjitha partive që kanë gëzuar mandat ne legjislaturën e re: sot me ata të partive shumicë, e nesër me ata të partive jo shumicë, raporton IndeksOnline.
Takimet pritet të mbahen përgjatë gjithë ditës, nga ora 10 deri në ora 16, e që çështje e diskutimit do të jetë zhbllokimi i institucioneve.
Të parin në takim, Osmani do ta presë kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të vazhduar pastaj me Memlin Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Ky është takimi i dytë që Osmani mban me liderë të partive, pas atij të parit që ishte takim i përbashkët, e që nuk rezultoi me zgjidhje.
Takimet e sotme vijnë pas atij të së shtunës, ku krerët e partive u mblodhën në ambientet e Kuvendit, për të gjetur zgjidhje të përbashkët, por dështuan.
Kujtojmë se nga 15 prilli e deri më tani, Kuvendi ka dështuar plot 40 herë konstituimin, zgjedhjen e kryekuvendarit, nënkryetarëve dhe procedimin tutje me formim të institucioneve./IndeksOnline/