75 Mall Live Search
14:21 / E Premte, 21 Tetor 2022 / L K

Presidentja nuk ndërron mendje për targat, afati nuk do të shtyhet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se afati për çështjen e targave nuk do të shtyhet.

Përkundër kërkesës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar, për shtyrjen e afatit për zbatimin e marrëveshjes për targa për 10 muaj, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nuk do të pajtohet për një gjë të tillë.

Në një konferencë për media, presidentja e Kosovës, ka thënë se nuk ka ndërruar qëndrim në lidhje me këtë çështje, teksa ka theksuar se një çështje e tillë ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Presidentja Osmani nuk ka ndërruar qëndrim. Përgjigjen ka dhënë vetë Escobar dhe tregoj vetë që nuk e ka marrë, nuk është çështja që nuk pajtohemi me partnerët rreth qëllimeve, për paqe dhe stabilitet. Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe për krim të organizuar”, ka thënë ajo.

Shtyrja edhe më tej e këtij vendimi, sipas presidentes Osmani, do të thotë tolerim sic i ka quajtur bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat sipas saj dirigjohen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ekzistojnë një numër i vogël i serbëve që nuk e kanë bërë, sepse ata kërcënohen nga banda kriminale, që paguhen dhe mbështeten politikisht nga Vuçiq. Ka raste se ju kanë djegur shtëpitë, makinat vetëm sepse e kanë respektuar ligjin. Shtyrja e vazhdueshme do të thotë se po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokal. Kjo është çështje e sundimit të ligjit, jo kundër serbëve, është mbrojtje e tyre nga banda kriminale”, ka thënë ajo.

Osmani u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovës, që në afatin e caktuar t’i kthejnë targat në RKS.