75 Mall Live Search
17:54 / E Martë, 15 Prill 2025 / k.v

Presidentja Osmani ende nuk ka pranuar letër nga Kuvendi pas dështimit të seancës konstituive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk ka pranuar asnjë letër zyrtare nga Kuvendi i Kosovës në lidhje me zhvillimet e sotme në seancën konstituive, transmeton IndeksOnline. Këtë e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes, duke deklaruar: “Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja.”

Seanca e sotme konstituive ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, gjë që ka pamundësuar betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e saj, duke thënë se nuk kishte shumicë për vijimin e punimeve, dhe paralajmëroi se do t’i drejtohej Presidentes për hapat e mëtejshëm.

“Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme, në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë Presidenten se si do të vijohet tutje”, deklaroi Dehari.

Ndërkohë, në seancë u thelluan edhe përplasjet politike. PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, të cilët janë zgjedhur si deputetë. Kurti nga ana tjetër i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.

Situata mbetet e tensionuar dhe pa një qartësi të menjëhershme se si do të procedohet tutje në mungesë të përfundimit të seancës konstituive./IndeksOnline/