23:11 / E Enjte, 17 Nëntor 2022 / MSH

Presidentja Osmani falënderon Pelosin për angazhimin dhe raportet e veçanta me Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani, e ka falënderuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosin, për angazhimin e saj dhe lidhjen e saj me Kosovën.

“Nancy Pelosi, është një kampione e fortë e demokracisë dhe ka bërë histori me profesionalizmin, përkushtimin dhe shërbimin e saj të pashoq. Ajo është gjithashtu një kampione e vërtetë e lidhjes së veçantë mes dy kombeve tona. Në emër të popullit të Kosovës, ju falënderoj, zonja Kryetare”, shprehet presidentja Osmani në dedikimin e saj përmes Twitter.

Nancy Pelosi, e cila ka udhëhequr demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së për gati dy dekada, ka njoftuar se do të largohet nga ky rol.

82-vjeçarja është demokratja më e fuqishme në Kongres dhe gruaja e parë që ka shërbyer si kryetare e Dhomës.

Ajo do të vazhdojë të përfaqësojë Kaliforninë në dhomën e ulët të Kongresit.

Ajo vjen pasi republikanët parashikohet të rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas zgjedhjeve afatmesme.