Presidentja Osmani: Masakra e Tregut të Gjelbër në Mitrovicë, dëshmi e krimeve mizore nga regjimi gjenocidal serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën që ndodhi në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës më 13 mars të 1999-ës, e ku u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5 e deri 65-vjecar, e u plagosën 128 qytetarë të tjerë.
“13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë. Në këtë ditë përkujtojmë viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal serb, u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç. Në këtë akt makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë: fëmijë, gra, pleq e të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e krimeve mizore.
“Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, shkruan ajo.

