75 Mall Live Search
14:20 / E Diele, 09 Maj 2021 / OSH

Presidentja Osmani mesazh BE-së: Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

Sot shënohet Dita e Evropës në shtetin tonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi ka thënë që është koha që Evropa të hap dyert për shtetin më pro-evropian në botë, transmeton Indeksonline.

“Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në postimin e saj.

Postimi i plotë:

Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botëSot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë.

Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund. Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë.Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun.

Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën.Besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm.

Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!