Presidentja Osmani ngushëllon për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit “Shemit”
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët” dhe njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80.
Përmes një reagimi zyrtar nga Presidenca, Presidentja Osmani ka theksuar se lajmi për vdekjen e Shemit është pritur me pikëllim të thellë, duke nënvizuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare dhe në formësimin e identitetit kulturor të Kosovës, shkruan IndeksOnline.
Ajo ka veçuar këngën ikonike “Xhamadani vija vija”, e cila, sipas saj, mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet ndër breza, ashtu siç bëri zëri i Shemit për dekada me radhë.
“Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik”, thuhet në mesazhin e Presidentes.
Osmani ka rikujtuar gjithashtu se dy vjet më parë, Shemsi Krasniqi – Shemi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar nga Presidenca me Medaljen Presidenciale të Meritave, si vlerësim për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në kulturën dhe artin muzikor të vendit.

